Vetingu nxjerr nga radhët e drejtësisë Ardian Brahon prokurori i prokurorisë së Tiranës. Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi sot lënien në fuqi të vendimit të të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 469, që i përket këtij subjekti rivlerësimi.
Më 1 nëntor 2021 KPK vendosi të shkarkojë nga detyra prokurorin e Tiranës, Ardian Braho pasi konkludoi se nuk ka deklaruar saktë pasurinë dhe janë konstatuar elemente që ngrenë dyshime për fshehje të pasurisë.
Trupa gjykuese që shqyrtoi ankimimin e prokurorit në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit përbëhej nga Rezarta Schuetz kryesuese, Natasha Mulaj relatore, Albana Shtylla, Ina Rama, Sokol Çomo anëtarë
Në KPK vendimi për shkarkimin e tij u mor me 2 vota pro e një kundër.
Shumica vërejti paqartësi në destinacionin e disa shumave monetare të dërguara nga tezja që jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, SHBA në llogarinë e babait të subjektit, ndërsa Zhegu argumenton se janë provuar të ardhura të mjaftueshme të personave të tjerë të lidhur për krijimin e vlerave në fjalë, si dhe nuk rezulton që Braho apo familjarët e tij ti kenë përdorur apo të kenë pasur interes për to.
Braho ka qenë prokuror i disa çështjeve të rëndësishme në Tiranë, ndër të tjera ka hetuar dosjen e vrasjes së të riut Klodian Rasha apo atë të Lulzim Bashës, për Sheshin “Skënderbej”, dosje e cila u pushua, me argumentin se vendimi ishte marrë nga Këshilli Bashkiak i Tiranës.
Gjithashtu Ardian Braho ka hetuar Bankën e Shqipërisë dhe ish-guvernatorin Ardian Fullani apo dosjen e aparatit përgjues në zyrën e sekretares së ish-Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.
Por KPK në vendimin e saj për 2 kriteret e tjera vlerësoi pozitivisht prokurorin për pastërtinë e figurës dhe i aftë për profesionalizmin.