Vendosni fjalën kyçe....

Vokshi nuk i miratoi planin e hetimit, PS-ja largohet nga Komisioni, mbledhja shoqërohet me replika të ashpra


Partia Socialiste është larguar nga mbledhja e Komisionit Hetimor të Shëndetësisë pas 3 orësh debate

Kryetarja Albana Vokshi tha se kjo është një përpjekje e PS për të bllokuar punën, pasi nuk pranon të miratojë kërkesat për informacion. Mbledhjen e radhës Vokshi e caktoi të premten.

“Po kërkojnë të mbulojnë korrupsionin dhe abuzimin kriminal të dy koncesioneve. E paimagjinueshme kjo që po ndodh në këtë komision. 8 deputetë e mazhorancës janë vënë në mbrojtje të këtij korrupsioni. Refuzojnë të dërgojnë kërkesat për informacion. Meqë deputetët e PS përsëri bojkotuan komisionin, u larguan për të penguar hetimin parlamentar, po thërras mbledhjen e radhës ditën e martë. Orarin do e caktojmë, rendi i ditës vijon të jetë miratimi i kërkesave për informacion dhe diskutim i planeve”, tha Vokshi.

Albana Vokshi deklaroi gjatë mbledhjes se plani i hetimit nuk mund të miratohet pa dërguar kërkesat për informacion.

Vokshi thotë me ironi se shumica këmbëngul që të miratojë planin e Ilir Beqajt, ish-ministri i Shëndetësisë i cili është në hetim për koncesionin e sterilizimit.

“Ka sjellë planin e Beqajt dhe kërkojnë që ta kalojnë me shumicën e votave me forcën e kartonit. Ligji thotë bëhen propozimet nga ekspertët, merren provat në bazë të nenit 15 pika 3 dhe më pas kalohet në miratimin e planit të hetimit. Nuk ka miratim plani sot”, tha Vokshi.

Mes Albana Vokshit dhe deputetit socialist Plarent Ndreca pati edhe replika të ashpra.

Pjesë nga replikat

Plarent Ndreca: Një inxhiniere tekstile nuk ma tregon dot mua ligjin. Kam shumë respekt për profesionin tuaj, por një juristi nuk ia tregoni dot ju ligjin”.

Plarent Ndreca: Je dhunuese sistematike e fjalës së deputetëve. Je këtu për të moderuar, ti je e para mes atyre që bën diversion.

Albana Vokshi: Të dhemb kur denoncojmë abuzimet…të dhëmb ëëë..

Plarent Ndreca: Ja çfarë kryetareje keni, ja si flet..

Albana Vokshi: Një i kapur nga konflikti i interesit nuk pres të zhbllokojë punën

Plarent Ndreca: Ja pse i meriton të gjitha llafet. Je njeriu më i papërshtatshëm për të drejtuar këtë komision, ti je kallëzuese penale.

Ju tentoni t’i imponoheni shumicës, kjo pjesa këtej është vullneti i shumicës së shqiptarë, Prokuror alla Enver, Kadri këtu nuk ka.

Albana Vokshi: E bën Rama me Olsi Ramën. Me gjithë bandat kriminale.

Plarent Ndreca: Propozimi im për të vijuar punën. PS kërkon fillimin e hetimeve, ja ku i keni kërkesat për marrje provash. Ne nuk lëvizim nga këtu pa miratuar planin e hetimit, pastaj marrjen e provave. Keni akuzuar pa të drejtë 3 javë që po bllokojmë hetimin. Ju po bllokoni hetimin.

Albana Vokshi: Do kaloni planin e Ilirit, apo dëshmitarëve që ke mbrojtur

Plarent Ndreca: Kam mbrojtur profesorin (Arben Gjata), s’kam mbrojtur dëshmitarët.

Ndërsa debati mes palëve vijonte deputeti socialist Petro Koçi hodhi akuza ndaj opozitës duke thënë se “ka frikë se opozita po i bën shantazh kompanive për t’iu vënë gjoba nëpërmjet komisionit hetimor.”

“Do kërkoj nga Kuvendi që të zbardhet ca ka ndodhur në seancën e kaluar. Kush ka përdorur fjalë të papërshtatshme të mbajë përgjegjësi. S’duhet ta fyejmë gjuhën shqipe. Ka dallim të qartë mes fjalëve. Sipas nenit 15 thuhet se komisioni nëpërmjet ekspertëve ligjorë mbledh të dhëna për çështjen. Ekspertët kanë punuar dhe të dyja palët kanë paraqitur nga një plan hetimor që është një partiak, një e ka përgatitur PD dhe e ka dorëzuar, dhe po këtë gjë kanë bërë edhe ekspertët e propozuar nga PS. Ne jemi në momentin që duhet të aprovojmë planin e hetimit. Plani i hetimit që ju keni dorëzuar është i përfshirë në planin e propozuar nga PS. Ju mesa duket jeni penduar që e keni propozuar planin dhe kërkoni të nisni një proces për mbledhjen e të dhënave që nis vetëm pasi miratohet plani i hetimit. Kam frikë se po i bëni shantazh kompanive për t’iu vënë gjoba”-deklaroi Koçi.