Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi me anë të një postimi në rrjetet sociale ka zbardhur detaje nga Konventa Kombëtare e PL e cila do të mbahet më 27 prill.
Blushi shprehet se në këtë Konventë historike, do të shpërthejë energjia nukleare e PL.
Konventa do të nisë në orën 10:00 në Pallatin e Kongreseve, i cili do të ketë një dekor Kuq e Zi dhe do të nisë me himnin kombëtar të flamurit.
Në Pallatin e Kongreseve do të jenë 931 delegatë dhe mbi 2000 të ftuar.
Postimi i plotë:
Të dashur miq, anëtarë dhe simpatizantë të Partisë të Lirisë,
Në veçanti, të dashur delegatë të Konventës Kombëtare, që do të shpërthejë energjitë nuklearë të Partisë së Lirisë, në 27 Prill, ora 10:00, në Pallatin e Kongreseve.
Për shkak, të interesimit të jashtëzakonshëm të mediave, po ndajmë sot me ju disa detaje të kësaj Konvente historike:
Partia e Lirisë, me rrënjë të thella tek vlerat kombëtare, patriotizmi dhe atdhedashuria, mbrojtëse e vendosur dhe promovuese e identitetit kombëtar, në këtë Konventë të saj nuk mund të ketë tjetër veç këngëve shqiptare.
Do të nisim me Himnin e Flamurit Kombëtar, simbolit tonë përbashkues, të gjithë në këmbë dhe me dorën në zemër!
Do të këndojmë të gjithë së bashku edhe himin e Mentor Xhemalit “Për ty Atdhe”, që për ne nuk është vetëm këngë dhe frymëzim, por edhe Program dhe Betim, për 4 milion shqiptarë plus!
“Rrjedh në këngë dhe ligjërime” të artistes tonë të madhe Vaçe Zela do të jetë një tjetër këngë që do të shoqërojë punimet e kësaj Konvente.
I gjithë dekori i Konventës do të jetë KUQ E ZI, si ngjyrat e Flamurit Kombëtar dhe të Partisë së Lirisë.
Në total do të jemi 931 delegatë dhe mbi 2000 të ftuar, mes të cilëve jo vetëm kryetarë të partive aleate, përfaqësues të trupit diplomatik në Tiranë, liderë dhe drejtues të lartë të partive të vendeve mike, si dhe shumë personalitete të jashtëzakonshme që përfaqësojnë sot Shqipërinë në botë.
Pensionistët janë kryefjala e Programit tonë, ndaj do të kemi mbi 300 pensionistë të nderuar nga të gjitha trevat e vendit, veteranë të Luftës Antifashiste, pasardhës të tyre dhe familjarë të Heronjve e Dëshmorëve të rënë për lirinë e Shqipërisë.
Njëkohësisht do jenë të ftuar mbi 100 Kampionë dhe Rekordmenë Kombëtarë, që me rezultatet e tyre të shkëlqyera kanë ngritur lart Flamurin Kombëtar dhe imazhin e Shqipërisë.
Padyshim të ftuar do të jenë qindra intelektualë të spikatur në fushat e tyre, artistë të nderuar dhe shumë personalitete të tjera.
Ndërkohë po bëj publike edhe “bejxhin” e secilit delegat të Konventës, që padyshim do të ketë si elementë përbërës 5 prioritetet tona kryesore për 4 milion shqiptarë plus:
Ndalimi i shpopullimit
Rritja e pagave dhe pensioneve
Arsimi
Bujqësia
Shqipëria, fuqi eksportuese.
Të tjera detaje në vijim! Ju përshëndes të gjithëve!