Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka marrë pjesë në Forumin e Menaxhimit të Integruar të Burimeve Ujore në Shqipëri.
Në fjalën e saj, ministrja është shprehur se projekti për menaxhimin e burimeve ujore është i mirëdizenjuar me detyra të qarta teksa ka shtuar se sfidë është zbatimi i tij pasi thotë se ne kemi ligje të mira, por çalon puna kur vihen në zbatim.
“Duhet thënë që kemi kuptuar, sidomos 5 vitet e fundit, për shkak edhe të intensitetit të këtyre programeve se padyshim bashkëpunimi i ngushtë me Bashkimin Europian dhe të gjitha vendet e tjera anëtare është një kyç suksesi për të forcuar sektorët tonë, sidomos një sektor kaq vital, por nga ana tjetër edhe thelbësor siç është sektori i ujit. Duke përfshirë këtu nga mbrojtja e lumenjve tek mbrojtja e burimeve natyrore, tek mënyra e përdorimit të tyre me efiçencë, pasi sot jemi edhe para debateve që ndërkohë që jemi duke ndërtuar një ujësjellës në zonën e Himarës kemi një debat të hapur përsa i përket burimit nga ky ujësjellës do të furnizohet. Pra, sot flasim për çështje esenciale që kanë të bëjnë me detyrimin tonë si qeveri për të ofruar shërbime që kur vjen puna tek uji janë shërbime bazike dhe është e drejtë e çdo qytetari që të marrë sasinë e parashikuar pikërisht nga ligjet e Bashkimit Europian të ujit të pijshëm.
Por nga ana tjetër, pavarësisht kësaj nevoje dhe detyrimi të shtetit për ta ofruar ne jemi dhe shumë të kujdesshëm se cilat janë këto burime që do të disponohen për tu përdorur edhe për këto synime kaq të vyera, siç është shërbimi ndaj qytetarëve. Kështu që kjo tregon një shkallë të lartë të sensitivitetit të Qeverisë Shqiptare dhe të institucioneve dhe padyshim programi EU4Rivers vjen në momentin e duhur. Vjen në momentin e duhur atëherë kur shteti tonë do ti duhet që të përafrojë një sërë ligjesh për ti sjellë në të njëjtin nivel me ato të Bashkimit Europian, kur ne na duhet që të bëjmë një ri inxhinerim të të gjitha proceseve, qofshin këto proceset e analizës, proceset e safety assessment që ne bëjmë për çdo lloj burimi dhe deri tek ato procese të cilat do të vendosin të gjithë këtë pasqyrë të madhe të trajtimit dhe të mbrojtjes së ujërave në një nivel tjetër teknik dhe ligjor.
Ne jemi të mirë për të shkruar. Jemi të mirë për ti aprovuar ato ligje, por zbatimi është një sfidë e jashtëzakonshme para nesh dhe unë këto do gjeja rastin që t’ju kërkoja të gjithë partnerëve tanë që të na ndihmojnë edhe në këtë fazë të rëndësishme. Në ndërkohë që duhet thënë që gjatë vitit 2024 janë miratuar në parlament dhe pritet të hyjnë në fuqi shumë shpejt dy ligje të rëndësishme që është ligji për burimet ujore dhe ligji për strategjinë e mbrojtjes së mjedisit detar duke shprehur dhe një herë kështu vullnetin e qeverisë dhe të parlamentit shqiptar për të përmbushur detyrimet dhe angazhimet e marra gjatë procesit të integrimit europian dhe duke theksuar se cilësia e ujit është një nga nënkapitujt më të rëndësishëm të Kapitullit 27, ashtu siç dhe e përmendi Gerta.” u shpreh Balluku.
Më tej Balluku vijoi se ndërkohë qeveria Shqiptare në fund të vitit 2023 ka miratuar tre plane menaxhimi të baseneve lumore që përfaqësojnë zonën më intensive ekonomike-sociale të vendit tonë dhe sigurisht pjesët më të rëndësishme të nuklave turistike tashmë të ngritura.