Vendosni fjalën kyçe....

TikTok-u nuk do të shitet, ka paralajmëruar SHBA-në pronari i tij kinez


Kompania mëmë kineze e TikTok, ByteDance, thotë se nuk ka ndërmend ta shesë biznesin, pasi SHBA-ja  miratoi një ligj për ta detyruar atë të shesë aplikacionin më të përdorur të videove ose të ndalohet në Amerikë.

“ByteDance nuk ka asnjë plan për të shitur TikTok-un,” postoi kompania në llogarinë e saj zyrtare në Toutiao, një platformë e mediave sociale që ajo zotëron.

TikTok-u nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment nga BBC.

Në fillim të kësaj jave, TikTok-u tha se do të kundërshtonte në gjykatë ligjin “jokushtetues”.

Deklarata nga ByteDance erdhi si përgjigje ndaj një artikulli nga faqja e internetit e industrisë së teknologjisë The Information që thoshte se po eksploronte shitjen e mundshme të operacionit të TikTok në SHBA pa algoritmin që e fuqizon atë.

“Raportet e mediave të huaja për shitjen e TikTok-ut nga ByteDance nuk janë të vërteta,” tha kompania në postimin, i cili përfshinte një pamje të artikullit me shkronjat kineze që do të thotë “thashetheme të rreme” të stampuara në të.

Masa e shitjes ose ndalimit u nënshkrua të mërkurën nga presidenti amerikan Joe Biden.

Shtrëngimi i kontrolleve të Pekinit ndaj kompanive private ka ngritur shqetësime në SHBA dhe vende të tjera perëndimore, se sa kontroll ka Partia Komuniste Kineze mbi ByteDance dhe të dhënat që ajo mban.

TikTok ka mohuar vazhdimisht pretendimet se qeveria kineze ka kontroll mbi ByteDance.

“Ne kemi besim dhe do të vazhdojmë të luftojmë për të drejtat tuaja në gjykata,” tha shefi i TikTok, Shou Zi Chew në një video të postuar në platformë këtë javë.

“Faktet dhe Kushtetuta janë në anën tonë… të jeni të sigurt, ne nuk do të shkojmë askund”.

Sipas TikTok-ut, themeluesi kinez i ByteDance zotëron 20% të aksioneve, përmes një aksioni kontrollues në kompani.

Rreth 60% është në pronësi të investitorëve institucionalë, duke përfshirë firmat e mëdha amerikane të investimeve Carlyle Group, General Atlantic dhe Susquehanna International Group.

Pjesa e mbetur prej 20% është në pronësi të punonjësve të saj në mbarë botën dhe tre nga pesë anëtarët e bordit të ByteDance janë amerikanë.

Qeveria kineze gjithashtu i ka hedhur poshtë shqetësimet e tilla si paranojë.

Sidoqoftë, TikTok-u nuk po përballet me një ndalim të menjëhershëm në SHBA.

Ligji i ri i jep ByteDance nëntë muaj kohë për të shitur biznesin dhe një periudhë shtesë prej tre muajsh, përpara se të zbatohet një ndalim i mundshëm.

VINI RE:  Ky material është pronësi intelektuale e BBC