Ndërtimi i TEC-it në Roskovec nuk do të ketë asnjë impakt mjedisor në zonë, tha drejtuesi politik i qarkut të Fierit i Partisë Socialiste, Taulant Balla duke iu përgjigjur shqetësimit të banorëve.
Madje sipas tij, ndërtimi i TEC-it i jep një rol të rëndësishëm Roskovecit dhe qarkut të Fierit, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në nivel rajonal.
Balla shtoi më tej se projekti ka impakt të rëndësishëm strategjik dhe ekonomik dhe nuk dëmton mjedisin.
“Qarku ynë është me fat që kalon një prej gazsjellësve më të mëdhenj në Europë, që e ka kthyer Shqipërinë në një pozicion strategjik në hartën evropiane të furnizimit me gaz dhe natyrisht që duhet të kalojnë në fazën e dytë, jo vetëm tranzit, por edhe vend përfitues. Krijimi i burimeve të tjera alternative të energjisë përmes përdorimit të gazit, është një hap i rëndësishëm që duhet të bëjmë sa i përket rritjes së kapaciteteve tona prodhuese të energjisë elektrike. Do doja t’i bëja thirrje qytetarëve dhe t’i garantoja se nuk ka asnjë lloj ekspozimi, në kuptimin e të ndonjë risku, që ka të bëjë me mjedisin, sepse në shumë vende të botës, kudo ku kalojnë gazsjellësit, është mundësi reale për të krijuar njësi të prodhimit të energjisë elektrike, të bazuar në gaz.
Dua t’i garantoj banorëve të Roskovecit se bëhet fjalë për një projekt të rëndësishëm strategjik, me zero rrezik ndotjeje mjedisore, por që i jep bashkisë, popullit të zonës, të ardhura shtesë të cilat do të përdoren për të zhvilluar infrastrukturën e zonës dhe për të rritur numrin e vendeve të punës, sepse bëhet fjalë për një investim të rëndësishëm, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për rajonin, si një prej prodhuesve më të mëdhenj të energjisë në Shqipëri”, përfundoi Balla.