Vendosni fjalën kyçe....

A do dorëhiqet kryeministri i Spanjës dhe si mund të trazohet BE-ja pas zgjedhjeve për Parlamentin Evropian


Është njoftimi që e gjithë Spanja – dhe pjesa më e madhe e Evropës – po e pret me frymë të ndalur: A është Pedro Sánchez i gatshëm të mbetet kryeministër i vendit, apo po e jep dorëheqjen duke sjellë vullnetarisht një periudhë të re paqëndrueshmërie politike në ekonominë e pestë më të madhe të BE-së?

Ky është misteri që do zgjidhet të hënën. Në një letër bombë të botuar në X të mërkurën e kaluar, Sánchez tha se sulmet e përsëritura të krahut të djathtë ndaj familjes së tij e kishin shtyrë të pyeste veten nëse qeverisja e Spanjës justifikonte ekspozimin e të dashurve të tij ndaj abuzimit të vazhdueshëm.

“A duhet të vazhdoj të drejtoj këtë qeveri apo të heq dorë nga ky nderim më i lartë?” shktoi kryeministri. “Më duhet urgjentisht t’i përgjigjem një pyetjeje që vijoj t’ia bëj vetes: A ia vlen që unë të qëndroj në detyrë, pavarësisht nga balta që hedh e djathta dhe e djathta ekstreme?”

Sánchez i ka kaluar pesë ditët e fundit i izoluar, duke medituar për të ardhmen e tij. Mbështetësit dhe kundërshtarët tani presin një vendim që ka potencialin të ndryshojë rrënjësisht peizazhin politik të Spanjës dhe të ndikojë ndjeshëm në shpërndarjen e vendeve të rëndësishme të punës në BE pas zgjedhjeve të Parlamentit Evropian të qershorit.

Quédate (qëndro), Pedro!

Njoftimi i Sánchez të mërkurën e kaluar u motivua nga lajmet se një gjykatës i Madridit kishte nisur një hetim paraprak për korrupsion dhe influencë të përqendruar te Begona Gómez, gruaja e kryeministrit. Hetimi u nis në përgjigje të një padie të ngritur nga Manos Limpias – ose “Duart e Pastra” – një grup me lidhje me të djathtën ekstreme që përdor rregullisht gjykatat për të synuar njerëz ose grupe të lidhura me kauza progresive.

Padia duket të jetë e pabazë: Prokurorët javën e kaluar rekomanduan rrëzimin e kallëzimit penal dhe madje “Manos Limpias” pranon se padia e saj mund të bazohet në “lajme të rreme”. Por vendimi i gjyqësorit për të nisur hetimin paraprak ndaj Gómez, pavarësisht nga pakësimi i provave kundër saj, duket se ka qenë i tepërt për Sánchez.

Reagimi i kryeministrit mund të kuptohet duke pasur parasysh sulmet personale që janë bërë kundër tij dhe familjes së tij që kur ai u ngjit në ballë të politikës spanjolle një dekadë më parë. Gjatë viteve të fundit, Partia Popullore e qendrës së djathtë e ka quajtur Sanchez-in një uzurpator, simpatizant terrorist dhe një tradhtar. Opozita konservatore ka ndihmuar gjithashtu përhapjen e thashethemeve keqdashëse se gruaja e tij është në të vërtetë një burrë dhe se familja e saj janë kontrabandistë droge që drejtojnë një rrjet klubesh seksi.

Intensiteti i presionit të cilit i janë nënshtruar Sánchez dhe familja e tij u nënvizua nga mediat spanjolle të premten, kur publikime të shumta postuan regjistrime të një takimi të vitit 2014 midis Sekretarit të Shtetit të atëhershëm për sigurinë, politikanit të qendrës së djathtë Francisco Martínez dhe José Manuel Villarejo. Ky i fundit, një inspektor policie i turpëruar, dyshohet se ishte në qendër të një aparati të fuqishëm që punonte për të njollosur reputacionin e politikanëve, gjyqtarëve të lartë, madje edhe anëtarëve të monarkisë.

Në regjistrim, burrat diskutojnë planet për të “vrarë politikisht” Sánchez duke ndjekur familjen e gruas së tij dhe duke sugjeruar se ata janë të përfshirë në biznese të paligjshme. Më vonë Villarejo diskuton përdorimin e taktikave ligjore – nisjen e çështjeve të pabaza gjyqësore për të ngacmuar dhe diskredituar kundërshtarët politikë – dhe përmend “Manos Limpias” si një grup me të cilin ai bashkëpunon.

Regjistrimet u cituan në një takim emocional të kryesisë së Partisë Socialiste të shtunën, gjatë së cilës ministrat e Sanchez shprehën mbështetje për kreun e tyre dhe iu lutën që të mos dorëzohej para ngacmuesve të tij. Jashtë selisë së partisë në Madrid rreth 12,500 mbështetës u mblodhën për të thirrur “¡Quédate, Pedro!” – “Pedro, të lutem qëndro!”

Njoftimi mister

Ajo që do bëjë Sánchez të hënën është një mister edhe për rrethin e tij më të ngushtë. Një zyrtar qeveritar, të cilit iu dha anonimiteti për të folur lirshëm për këtë çështje, tha se Kabineti kishte marrë dijeni për letrën e Sanchez vetëm kur u publikua në X, dhe se kryeministri e kishte përmbajtur veten që atëherë. Vendimi që Sanchez ka përpara është një vendim personal që ai po e merr me kontributin e familjes së tij – dhe me sa duket më askënd tjetër.

Ajo që vendos të bëjë Sanchez mund të çojë në skenarë shumë të ndryshëm për Spanjën. Kryeministri mund të shpallë se do mbetet në detyrë, ose mund t’ia lërë vendimin parlamentit spanjoll duke iu nënshtruar një votëbesimi. Sánchez ka të ngjarë të kalojë atë provë dhe të marrë mbështetjen e të njëjtëve 179 ligjvënës që konfirmuan ofertën e tij për të formuar një qeveri nëntorin e kaluar.

Por nëse kryeministri largohet, Spanja mund të përballet me një periudhë të zgjatur pasigurie politike. Qeveria do kalonte menjëherë në modalitetin kujdestar dhe mbreti Felipe VI do duhej të zhvillonte këshillime me krerët politikë në parlament për të përcaktuar nëse ka një kandidat tjetër të aftë për të formuar një qeveri.

Sánchez nuk ka pasardhës të dukshëm dhe është e paqartë nëse ka ndonjë në radhët e socialistëve rreth të cilit mund të bashkohen mjaft ligjvënës të krahut të majtë dhe separatistë. Ndërkohë, megjithëse kreu i Partisë Popullore Alberto Núnez Feijóo dëshiron të jetë kryeministër, ai nuk ka mbështetjen e nevojshme parlamentare për të formuar një qeveri.

Nëse askush nuk mund të sigurojë mbështetjen e shumicës së thjeshtë të 350 ligjvënësve të parlamentit brenda dy muajve, organi do shpërndahet dhe zgjedhjet e reja do planifikohen të mbahen 54 ditë më vonë. Prandaj, Spanja do shkojë në zgjedhje në mes të gushtit dhe ka të ngjarë të mos ketë një qeveri të re deri në vjeshtë.

Përveç trazirave që ky skenar do shkaktonte brenda vendit, largimi i Sanchez ka të ngjarë të ketë gjithashtu një ndikim në takimet kryesore të Këshillit Evropian për të zgjedhur drejtuesit e rinj të institucioneve të BE-së.

Është e paqartë se sa ndikim do kishte figura e përkohshme që do merrte detyrën nga Sánchez – me sa duket zëvendëskryeministrja María Jesús Montero – në bisedimet vendimtare dhe sa do ndikojë rënia e një qeverie tjetër socialiste në shpërndarjen e posteve në Komisionin Evropian, Këshillin Evropian dhe degën e BE-së për çështjet e jashtme.

Socialistët dhe Demokratët e Evropës janë të prirur që një nga anëtarët e tyre të pasojë Charles Michel si president i Këshillit Evropian. Aftësia e tyre për të ndikuar në negociatat e posteve kyçe ka të ngjarë të dobësohet nëse Sánchez, një nga kryeministrat socialistë më të vjetër dhe më të fuqishëm të bllokut, nuk është në tryezë kur të ndodhin ato bisedime.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Politico

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani