Vendosni fjalën kyçe....

“Afërmendsh që vendosin çfarë u kërkojmë ne”, Gjykatat iu nënshtruan SPAK-ut edhe gjatë vitit të kaluar


Të dhënat zyrtare të siguruara nga Vox News tregojnë se gjykata e posaçme iu nënshtrua SPAK-ut edhe përgjatë vitit të kaluar, duke konfirmuar lapsusin e Altin Dumanit para Këshillit të Lartë të Prokurorisë, kur tha se gjykatat vendosin çfarë kërkojnë prokurorët në lidhje me fajësinë e të akuzuarve. 

Në përqindjen më të madhe të rasteve kur Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion mbyll paraprakisht apo plotësisht dosjet hetimore ndaj personave të përfshirë në çëshjet që heton, kjo strukturë kërkon caktimin e një mase shtrënguese, siç është ajo e arrestit në burg, ose arrest në shtëpi.

Rastet janë mjaft të pakta, kur SPAK kërkon “detyrim për tu paraqitur pranë policisë gjyqsore” apo masën “ndalim i daljes jashtë territorit të vendit”. Referuar shifrave të vitit 2023, Gjykata e Posaçme Antikorrupsin raporton se në të paktën shtatë raste, GJKKO vendosi një tjetër masë nga ajo që kërkoi SPAK për çështje të ndryshe të cilat u hetuan vitin që lamë pas.

Konkretisht një rast i tillë shënohet më datë 12 shkurt të vitit 2023, ku SPAK kërkoi caktimin e masës së sigurimit personal shtrëngues “arrest në shtëpi”, ndërsa gjykata vendosi masën “detyrim për tu paraqitur pranë policisë gjyqsore” dhe “ndalim për të dalë jashtë shtetit”. Raste të ngjashme po në muajin shkurt te vitit të kaluar, janë 3 të tilla, ku në dy prej tyre GJKKO shtrëngon masën e sigurisë nga “arrest në shtëpi” në “arrest në burg”.

Ndërsa në rastin tjetër, të datës 19, vihet re që Prokuroria e Posaçme kërkon arrest në shtëpi për 4 persona dhe detyrim për tu paraqitur pranë policisë gjyqsore për 5 të tjerë. Trupa e gjykimit në këtë rast, pasi ka dëgjuar të dyja palët në proces, vendosi pranimin pjesërisht të kërkesës së SPAK dhe lënien e 9 personave në masën detyrim paraqitje.

Vendime të tilla të marra nga ana e gjykatës, në disa seanca janë mbështetur edhe nga pretendimet e avokatëve në sallë. Ka patur situata kur këta të fundit, kanë kundërshtuar kërkesën e SPAK dhe kanë kërkuar masë më të butë sigurie, duke thënë se klienti që ata mbrojnë ka probleme shëndetësore, ka fëmijë të mitur që nuk kush kujdeset për to, apo pretendime të tjera të këtij lloji.

Megjithatë, jo gjithmonë argumentat e parashtruara nga avokatët, të mbështetura këto edhe në dokumenta, apo raporte mjekësore janë marrë parash nga gjyqtarët e posaçëm. Një ngjarje skandaloze e cila kujtohet lehtësisht duke qenë se është e freskët, marrë nga fakti që është shënuar vitin e kaluar, lidhet me vdekjen e Enver Sheshit, i cili u arrestua më 16 nëntor dhe u la në qeli për përfshirjen e tij në inceneratorin e Fierit.

59-vjeçari Enver Sheshi përmes avokatit të tij, disa herë bëri kërkesë në Gjykatën e Posaçme për ndryshim të masës së sigurisë, me argumentin se vuante nga një problem shëndetësor. Por gjykata e shkallës së parë vendosi rrëzimin e kësaj kërkesë, çka shtyu avokatin të apelonte vendimin në Apelin e Posaçëm. Gjyqtarja e Apelit Ilirjana Olldashi la në fuqi vendimin e shkallës së parë, duke bërë që kërkesa për zbutje te masës së sigurisë të mos pranohej nga të dyja shkallët e gjyqsorit.

Fakti që gjykatat nuk e morën parasysh fare raportin mjekësor, ndodhi që pasditen e orës 16.00 të datës 8 janar të vitit 2023, Sheshi të ndërronte jetë në QSUT, si pasojë e një arresti kardiak. Aso kohe, familjarët e Sheshit u shprehën se do kallëzonin prokurorët dhe gjyqtarët e çështjes për veprën penale ‘Vrasje me dashje’.

Por rasti i 59-vjeçarit nuk është i vetmi, pasi ka patur raste të ngjashme në gjykatat e vendit. Për t’u kthyer te raporti, më 22 maj nënvizohet se SPAK kërkoi masën “arrest në burg” për 3 persona dhe ‘arrest në shtëpi” për 2 të tjerë. Gjykata pranoi pjesërisht kërkesën, duke lënë në qeli vetëm një prej tyre, një tjetër e izoloi në banesë dhe për 3 persona vendosi masën lehtësuese “detyrim paraqitje”.

Në tre hetime të tjera të kryera nga Prokuroria e Posaçme është kërkuar masë “arrest në burg”, ku GJKKO nuk e ka pranuar plotësisht kërkesën e SPAK, duke lehtësuar masën e sigurisë për disa prej personave. Por përveç rasteve të sipërpërmendura, GJKKO ka pranuar kërkesat e prokurorisë për masa të ndyshme sigurimi.

Ajo çka vihet re është se SPAK për çdo hetim, thuajse për çdo vepër penale kërkon që i hetuari prej tij të lihet në masën e arrestit në burg, në mënyrë që personi ndaj të cilit është ngritur akuzë mos të qëndrojë i lirë pasi mund të prishë hetimet, apo në rastin më të keq, mund të arratiset për tiu shmangur arrestimit.

Viti që lamë pas shënoi disa suksese të Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion, duke nisur nga mbyllja e hetimeve për dosje të shumta, e deri te ngritja e akuzës për zyrtarë dhe ish zyrtarë të lartë si dhe dënimi me burg nga ana e GJKKO për disa prej tyre.

Dy ditë përpara se të hynte viti 2024, Gjykata e Posaçme me kërkesë të SPAK izoloi në banesë ish kryeministrin Sali Berisha, i cili po hetohet për privatizimin e ish klubit sportiv Partizani, duke i ndaluar këtij të fundit edhe komunikimin me persona të tjerë, përvec atyre me të cilët ndan banesën.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Vox News