Kreu i Tesla, Elon Musk u takua me kryeministrin kinez Li Qiang të dielën në mëngjes për të diskutuar mbi operacionet e mëtejshme të kompanisë në tregun më të madh të makinave në botë.
As Musk dhe as zyrtarët kinezë nuk e kishin njoftuar vizitën, e cila përkon me panairin e makinave në Pekin, ekspozitën më të madhe të automjeteve në Kinë, e cila filloi dy ditë më parë. Tesla nuk po ekspozon modelet e saj në këtë panair dhe mori pjesë për herë të fundit në 2021.
Reuters më herët raportoi, duke cituar burime, se Musk kishte shkuar në Kinë për të diskutuar me zyrtarë të lartë kinezë përhapjen e softuerit Full Self-Driving (FSD) dhe gjithashtu për të marrë leje për të transferuar të dhëna jashtë shtetit.
Gjatë takimit me Musk, Li u zotua se Pekini “do vijojë të punojë shumë për të zgjeruar qasjen në treg”, sipas raporteve të mediave shtetërore kineze.
“Tregu shumë i madh i Kinës do jetë gjithmonë i hapur për firmat e financuara nga jashtë,” citoi agjensia e lajmeve AFP të ketë thënë kryeministri.