Në një projekt-vendim të fundit, Këshilli i Lartë Gjyqësor ka “lajthitur” duke u caktuar gjyqtarëve një normë të caktuar në gjykimin e çështjeve sipas modelit të një kooperative socialiste.
Projek-vendimi normativ i KLGJ-së vjen në një kohë kur ka një numër shumë të madh të dosjeve të prapambetura dhe vakanca të shumta të shkaktuara nga vettingu. Ai është bazuar te puna dyvjeçare ekzistuese, por kjo është kthyer në mbingarkesë ekstreme për gjyqtarët, të cilët po punojnë me dy turne duke i kthyer në robotë dhe duke ulur cilësinë e gjykimit të çështjeve.
Zgjidhja në fjalë është e pakuptimtë dhe duket se do t’i kthejë gjyqtarët në dëshmorë e heronj. Sistemi italian është gjithashtu një sistem që i ngarkon jashtë mase gjyqtarët dhe është i kundërt me atë të vendeve të tjera të BE-së ku gjyqtarët e caktojnë vetë normën e cështjeve që mund të arsyetojnë e shqyrtojnë.
Projekt-vendimi në fjalë i KLGJ-së në thelb nuk e realizon efektivisht atë që synon duke qenë se shkurton kohën e dhënies së një vendimi pa u përqendruar aspak te cilësia e tij, që është edhe objektivi thelbësor i punës së një gjyqtari.
Po kështu akti në fjalë nuk ka mbështetje ligjore dhe bie ndesh me Kushtetutën ndërkohë që nuk janë marrë parasysh të gjitha kriteret për të arritur një përfundim të mirëargumentuar që do kishte në fokus cilesinë e vendimeve të një gjyqtari.
Vakancat në sistem të shkaktuara nga vettingu si dhe mungesa e infrastrukturës dhe burimeve njerëzore e bëjnë projekt-vendimin e KLGJ-së jo në momentin e duhur për sa i përket standardeve cilësore që duhet të ofrojnë gjyqtarët në vendimet e marra për qytetarër qytetarët. /Hashtag.al