Policia e Bostonit ka arrestuar më shumë se 100 protestues në Universitetin Northeastern, në mes të një goditjeje mbarëkombëtare ndaj aktivizmit anti-izraelit. Autoritetet e universitetit pretendojnë se demonstruesit po bënin thirrje për vdekjen e hebrenjve.
Demonstruesit ngritën tenda në kampusin e Northeastern në fillim të kësaj jave, pas protestave të studentëve në Universitetin Columbia të Nju Jorkut dhe rreth 40 institucione të tjera arsimore në SHBA dhe Kanada.
Oficerët nga Departamenti i Policisë së Bostonit, Policia e Shtetit të Massachusetts, Departamenti i Sherifit të Qarkut Suffolk dhe forcat policore të universitetit rrethuan kampin pak pas agimit të së shtunës në mëngjes, përpara se të hynin brenda dhe të frenonin rreth 100 demonstrues, raportoi WBZ News.
Policia e Massachusetts tha se 102 persona që kundërshtuan të shpërndaheshin u arrestuan dhe do akuzohen për shkelje të ligjit dhe sjellje të çrregullt. Universiteti Northeastern tha se kushdo që kishte një ID studentore do lirohet dhe do përballet me pasoja disiplinore, por jo ligjore.
“Ajo që filloi si një demonstratë studentore dy ditë më parë, u infiltrua nga organizatorë profesionistë pa lidhje me Northeastern,” pohoi universiteti në një deklaratë.
“Natën e kaluar, përdorimi i sharjeve virulente antisemitike, duke përfshirë ‘Vritni hebrenjtë’, e kaloi kufirin. Ne nuk mund ta tolerojmë këtë lloj urrejtjeje në kampusin tonë.”