Vendosni fjalën kyçe....

61 bashkitë realizuan vetëm 45% të fondit të investimeve më 2023


Rajonet e Shqipërisë dhe kryesisht zonat rurale kanë mungesa të mëdha në infrastrukturë, sidomos në rrugë, por paradoksi qëndron në faktin se, bashkitë në të gjithë vendin nuk kanë shpenzuar as gjysmën e fondeve të planifikuara vitin e kaluar për investime kapitale.

Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave për investimet e bashkive në të gjithë vendin tregojnë se, nga totali i programuar prej 48 miliardë lekësh (460 mln euro) i investimeve kapitale janë investuar vetëm 45% e tyre, një vlerë 26 miliardë lekë (252 mln euro).

Nga 5228 projekte në total të programuara për t’u financuar më 2023, janë financiar më pak se gjysma, ose vetëm 2546 projekte.

Në një kohë që fondet e bashkive mbeten stok pa u realizuar, rajone të tëra rurale në të gjithë vendin janë duke u shpopulluar, si rezultat i mungesës së infrastrukturës, rrugore, shëndetësore dhe shkollave.

Nga ana tjetër, turizmi që po shërben si nxitës për zhvillimin e zonave rurale, nuk mund të lidhet me këto komunitete për shkak të mungesës së infrastrukturës bazë.

Zonat popullore të turizmit malor vuajnë furnizimin e rregullt me energji, ndërkohë që bukuritë e zonave rurale të vendit nuk mund të shndërrohen me leverdi në ekonomi si rrjedhojë e mungesave në infrastrukturë.

Struktura e hetimit Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka hapur një seri hetimesh në bashkitë e vendit kryesisht për mënyrën se si janë shpenzuar fondet publike.

Inspektimet e mëparshme nga Kontrolli i Lartë i Shtetit kanë gjetur se bashkitë vuajnë nga menaxhimi i dobët i ligjeve të prokurimeve. Pothuajse të gjitha prokurimet janë në parregullsi, duke ekspozuar taksat ndaj shpërdorimeve të mëdha.

Punonjësit në entet publike pohojnë se hetimet e SPAK kanë ngjallur një frikë në punonjësit e prokurimeve dhe juristet të cilët po hezitojnë që të firmosin tenderët në parregullsi. Kjo po bën që investimet publike të kenë ecuri edhe më të dobët këtë vit se vitin e kaluar.

Në 3-mujorn e parë të vitit 2024, nga buxheti i shtetit në zërin e investimeve kapitale u çel vetëm 3.6% e fondit total të programuar për këtë vit, niveli më i ulët në 15 vitet e fundit./B.Hoxha

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor