Vendosni fjalën kyçe....

Estonia fajëson Rusinë për ndërhyrje në GPS-ët që detyruan Finnair të pezullonte fluturimet


Linja ajrore finlandeze Finnair pezulloi sot fluturimet për në Tartu, Estoni, për shkak të ndërhyrjes me sinjalet GPS mbi rajonin e Detit Baltik për të cilin autoritetet estoneze fajësuan Rusinë.

Aeroporti në qytetin e dytë të Estonisë mbështetet vetëm në një sinjal GPS për qasjen dhe uljen.

Të enjten dhe të premten, dy fluturime të Finnair nga Helsinki në Tartu u detyruan të ktheheshin mbrapa për shkak të ndërhyrjes GPS – të quajtur ndryshe edhe bllokim.

Ndërhyrja GPS në Tartu na detyron të pezullojmë fluturimet derisa të vendosen zgjidhje alternative”, tha Finnair sot. Pezullimi do të zgjasë deri më 31 maj.

Ministri i Jashtëm estonez Margus Tsahkna e quajti bllokimin e GPS-it një “sulm hibrid” dhe fajësoi Rusinë duke thënë se ai synon ta ngrejë çështjen në BE dhe NATO.

Rusia e di shumë mirë se ndërhyrja që po shkaktojnë është shumë e rrezikshme për trafikun tonë ajror”, tha Tsahkna për transmetuesin publik estonez ERR. Ai e quajti atë “një veprim të qëllimshëm që po prish jetën tonë, duke vënë në rrezik jetën e njerëzve”.

Bllokimi i  it ka qenë një dukuri e rregullt në rajonin e Balltikut që nga fillimi i luftës në Ukrainë në vitin 2022, dhe Rusia konsiderohet si fajtori më i mundshëm, megjithëse përgjegjësia e saj nuk është vërtetuar.

Avionët ende mund të fluturojnë të sigurt pa një sinjal GPS, por bllokimi i privon pilotët nga një burim i rëndësishëm gjeolokimi.

“Shumica e aeroporteve përdorin metoda alternative të uljes, por disa aeroporte, si Tartu, përdorin vetëm metoda që kërkojnë një sinjal GPS për t’i mbështetur ato,” tha në deklaratë Jari Paajanen, drejtori i operacioneve të Finnair.