Vendosni fjalën kyçe....

Gara për të lobuar pranë tij, një vëzhgim brenda bisedimeve të Trump-it me udhëheqësit e huaj


Në mars, kryeministri hungarez Viktor Orban shkoi në Mar-a-Lago, duke i argumentuar Donald Trump se Rusia do e shkatërronte Ukrainën dhe përfundimisht do e fitonte luftën dhe se Shtetet e Bashkuara duhet ta pranojnë këtë realitet. Pastaj të dy kaluan orë të tëra në një sallë vallëzimi duke dëgjuar një grup muzikor që këndonte hitet e Rolling Stones.

Disa javë më vonë, Sekretari i Jashtëm britanik, David Cameron, mbajti një qëndrim shumë të ndryshëm ndaj Trump. Teksa po hanin biftekë në Mar-a-Lago, ai e paralajmëroi Trump-in se duhej të vijonte të ofronte ndihmë ushtarake për Ukrainën pasi Rusia nuk do ndalonte derisa të kishte pushtuar të gjithë vendin.

Dhe në darkën brenda Trump Tower javën e kaluar, presidenti polak Andrzej Duda foli për luftën në Ukrainë dhe nxiti Trump-in që të vijojë të financojë ukrainasit nëse zgjidhet president. Trump i tha atij se Evropa duhej të bënte më shumë për të ndihmuar Ukrainën, një mesazh që ish-presidenti ndau në mediat sociale të nesërmen.

Ndërsa ai përpiqet të rikthehet në Shtëpinë e Bardhë, Trump po flet rregullisht me zyrtarë të huaj që kërkojnë të ndikojnë në mendimin e tij për një sërë çështjesh. Në qendër të shumë prej diskutimeve është e ardhmja e luftës në Ukrainë – një zonë ku Trump dhe Presidenti Biden kanë pikëpamje të ndryshme – sipas njerëzve të brendshëm, të cilët folën në kushte anonimiteti. Në takime janë trajtuar edhe tema të tjera, që nga e ardhmja e NATO-s e deri te tarifat.

Pas sulmit të 6 janarit 2021 në Kapitolin e SHBA nga një turmë pro-Trump dhe ngritjen e akuzave penale kundër tij, shumë emisarë dhe krerë të huaj dyshuan se Trump do ishte sërish kandidati republikan, sipas shtatë ambasadorëve evropianë të përfshirë në diskutime.

Por, ndërsa ai e ka siguruar sërish pozicionin e tij si kandidat i republikanëve, ata janë përpjekur të kenë ndikim të ai për të formuar konsideratat e tij dhe për të mësuar më shumë rreth të menduarit të tij. Disa kanë ndarë shënime se kush ka ndikim te Trump dhe cilat argumente mund të funksionojnë, dhe ambasadorët janë takuar me këshilltarët, miqtë dhe anëtarët e klubit Mar-a-Lago të Trump.

Por është e paqartë nëse bisedat do kenë një efekt te një ish-president i cili është impulsiv në vendimmarrjen e tij. Si president, Trump shpesh “godiste” aleatët me vendime dhe nuk kishte një kuptim të nuancuar të punëve të jashtme, sipas një prej ambasadorëve evropianë që ndërvepruan me të, dhe shumë krerë besonin se ai qeveriste për shkak të narcizmit dhe hakmarrjes.

Por megjithatë ishte më e lehtë për të arritur në rrethin e brendshëm të Trump në krahasim me administratën Biden, vendimet merreshin ndonjëherë më shpejt dhe Trump nuk ishte i lidhur me çdo politikë të qeverisë amerikane, e cila mund të ishte flladitëse, tha ky person.

“Njerëzit e shikojnë Presidentin Trump në gjithë botën si kandidaturën republikane. Ka të bëjë me Ukrainën, por ka të bëjë edhe me mbajtjen e marrëdhënies me një burrë i cili ka mundësi 50-50 për të qenë president”, tha senatori republikan Lindsey Graham, një ish-kritik i Trump, i cili është bërë një aleat i ngushtë i tij vitet e fundit.

Udhëheqësit botërorë me të cilët ka folur Trump përfshijnë krerët e shtetit të krahut të djathtë dhe zyrtarë të tjerë që kanë tërhequr kritika ndërkombëtare për taktikat e qeverisjes. Trump ka marrëdhënie të gjata me disa, si Princi i Kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, për të cilin CIA arriti në përfundimin se urdhëroi vrasjen e gazetarit të Washington Post, Jamal Khashoggi.

Bisedimet po zhvillohen mes luftërave në Ukrainë dhe Gaza dhe dyluftimeve të sulmeve ushtarake nga Izraeli dhe Irani. Ligjvënësit dhe ekspertët e politikës së jashtme thanë se takimet nuk ishin të pazakonta, por kishte dallime mes Cameron, një ish-kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar dhe udhëheqës i mëparshëm i Partisë Konservatore dhe Orban, i cili ka prirje autokratike, është përplasur me disa krerë të tjerë evropianë dhe ka shprehur mbështetje për fushatën e Trump.

“Ne kemi nevojë për krerë në botë që respektohen dhe mund të sjellin paqe. Ai është një prej tyre! Kthehuni dhe na sillni paqen zoti President!” shkroi Orban në X pas takimit me Trump.

“Viktor Orbán dhe qeveria hungareze nuk po marrin vendime në interes të Rusisë apo Ukrainës, por vetëm në interes të Hungarisë dhe popullit hungarez”, tha zyra e Orban në një deklaratë kur u pyet për takimin e Trump.

Trump ka thënë privatisht se mund t’i japë fund luftës së Rusisë në Ukrainë duke i bërë presion Ukrainës që të heqë dorë nga disa territore, sipas njerëzve të njohur me planin. Propozimi do ishte dramatikisht shumë larg krahasuar me qëndrimi pro-ukrainas të Biden.

Cameron ofroi perspektivën evropiane se presidenti rus Vladimir Putin do përdorte çdo largim nga Ukraina si një shfaqje dobësie, një lëvizje e parë nga disa si një përpjekje për të ndryshuar pikëpamjen e Trump. Trump sugjeroi në takim se Rusia mund të bindej të largohej nga Ukraina nëse do merrte një pjesë të territorit të pushtuar, një ide të cilën Cameron e kundërshtoi.

 “Ata po përpiqen të përdorin çdo lidhje të perceptuar politike me republikanët, me të djathtën amerikane, në përpjekje për të larguar Trump nga instinktet e tij më të këqija dhe drejt një versioni konservator të mbrojtjes së botës së lirë”, tha Daniel Fried, një ish-ambasador amerikan në Poloni dhe anëtar i Këshillit Atlantik, kur u pyet për takimin e Cameron me Trump.

Ndërsa një sërë vendesh kanë kërkuar të fitojnë favore, thanë këshilltarët e Trump, pak prej tyre kanë punuar më shumë se zyrtarët britanikë. Një diplomat britanik ka vizituar në mënyrë të përsëritur Mar-a-Lago, ka marrë pjesë në festën e fitores së Trump-it të Super së Martës, ka ngrënë darkë me Trump-in privatisht, është takuar me republikanë të rëndësishëm, ka dërguar mesazhe me këshilltarët e tij dhe ka marrë pjesë në ngjarjet e fushatës së Trump, sipas pesë personave të njohur me takimet.

Ambasada nuk pranoi të komentojë mbi takimet e saj. Ambasadori britanik është takuar gjithashtu me Trump-in, së bashku me ish politikanin britanik Nigel Farage, një ithtar i lëvizjes Brexit dhe ish-kryeministren e Mbretërisë së Bashkuar Liz Truss.

Fushata e Trump nuk komentoi hollësitë e takimeve dhe sugjeroi se ato janë një shenjë e fuqisë së tij midis krerëve botërorë.

“Aleatët e Amerikës shpresojnë me ankth që Presidenti Trump do rizgjidhet për t’i dhënë fund luftës dhe kaosit të krijuar nga dobësia e Joe Biden”, tha në një deklaratë zëdhënësja e fushatës Karoline Leavitt.

Trump duket se i shijon takimet me personalitete të huaja, veçanërisht nëse ato janë në Mar-a-Lago, dhe ekipi i tij shpesh është i lumtur të takohet me drejtuesit që po flasin gjithashtu me Shtëpinë e Bardhë dhe ligjvënësit në Capitol Hill, sipas këshilltarëve. Ekipit të Trump-it i pëlqen tabloja e takimit të tij me krerët botërorë, ndërsa gjyqi i tij penal shpaloset në Nju Jork, pasi tregon përfytyrimin e një figure kryesore politike në vend të një të pandehuri kriminel, tha një person i afërt me të.

Ai u takua të martën në Trump Tower me ish-kryeministrin japonez Taro Aso. Një takim me ish-presidentin ka kërkuar edhe partia opozitare japoneze. Zyrtarët tajvanezë, të shqetësuar për Kinën, kanë orkestruar takime me njerëz të afërt me Trump. Gjatë Konferencës vjetore të Veprimit Politik Konservator në shkurt, Trump foli në prapaskenë me anëtarë spanjollë të partisë së ekstremit të djathtë Vox.

“Ai po takohet me njerëz me të cilët është rehat,” tha Aaron David Miller, një ekspert i Lindjes së Mesme në ‘Carnegie Endowment for International Peace’ dhe një ish-diplomat.

Këshilltarja kryesore e Trump, Susie Wiles dhe shkrimtari i fjalimeve të tij Vince Haley zakonisht e shoqërojnë Trump-in në biseda, sipas njerëzve me njohuri për takimet. Një këshilltar parashikoi se takimet me krerët e huaj vetëm do zgjasin edhe më shumë, pasi ekipit të tij po i vijnë më shumë kërkesa.

Këshilltarët e Trump kanë studiuar gjithashtu Aktin Logan, një ligj që synon të mbajë qytetarët privatë jashtë marrëdhënieve të jashtme dhe kanë kundërshtuar disa takime, thanë ata, por nuk kanë bërë të qartë se cilat.

Në biseda, Trump shpesh graviton në politikën e brendshme, duke folur për politikën e abortit me disa nga krerët dhe duke ngritur mënyrën se si të sigurohen kufijtë me Duda-n dhe Orban-in, të cilët gjithashtu kanë bërë fushatë kundër emigracionit, sipas njerëzve të informuar për takimet. Bisedat janë shpesh diskursive dhe nganjëherë përqendrohen te golfi, thanë njerëzit.

Diplomatët e huaj të dërguar në Uashington thanë se nuk janë të sigurt nëse Trump mund të ndikohet nga bisedat e tyre. Por një diplomat i lartë evropian vuri në dukje se megjithëse mesazhi publik i Trump pas takimit të tij me Duda-n në përgjithësi dukej skeptik ndaj përpjekjeve evropiane për të mbështetur Ukrainën, ai tha se mbijetesa e vendit “është gjithashtu e rëndësishme për ne” – gjë që diplomati tha se mund të ishte një shenjë se Duda e lëvizi sadopak Trump-in.

Duda i tha një kanali televiziv polak se ai i tha Trump-it se ishte më mirë të dërgoheshin para dhe pajisje në Ukrainë tani, në mënyrë që ukrainasit të mund të përballonin barrën e luftës kundër Rusisë, sesa në të ardhmen nëse Rusia vijon e pakontrolluar sulmin në Evropë gjë që do detyronte ushtarët amerikanë të tërhiqen në luftime në Evropë siç ishin në dy luftërat botërore.

“Presidenti Donald Trump më pyeti se si e vlerësoj gjendjen, si i shoh mundësitë e zhvillimit të mëtejshëm të kësaj gjendjeje, kështu që unë e përshkrova atë”, tha Duda për kanalin Teleëizja Republika.

“Unë mendoj se më vonë ai analizoi këto aspekte të bisedës sonë.”

Ambasadorët evropianë ishin të kënaqur që Trump nuk hodhi në erë një marrëveshje të fundit për të dërguar më shumë ndihmë të SHBA-së në Ukrainë, duke parë nga afër komentet e tij me frikë, thanë njerëz të njohur me këtë çështje.

Disa demokratë parashikuan se takimet e Trump nuk do sillnin një ndryshim në pozicionet e tij.

“Ndjenja ime është se ai nuk do ofrojë asgjë më ortodokse për marrëdhëniet me jashtë. Unë nuk mendoj se kjo është një përpjekje për të provuar dhe sugjeruar se ai do jetë një president më normal,” tha senatori demokrat Chris Murphy, i cili është anëtar i Komitetit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë.

Megjithëse krerët e lartë dhe diplomatët në mbarë botën janë përgjithësisht të ndërgjegjshëm që të mos duken sikur po ndërhyjnë në proceset politike të vendeve të tjera, shumë prej tyre zakonisht përpiqen të takohen me krerët kryesorë të opozitës përpara zgjedhjeve – veçanërisht pasi kandidatët kryesorë të jenë zgjedhur. Ata e bëjnë këtë për t’u përpjekur të lënë përshtypje në prioritetet e tyre kombëtare dhe të kuptojnë se si vendet e tyre mund të nga një ndryshim në qeveri.

Në vitin 2016, disa ambasada në Uashington ishin aq shpërfillës ndaj fitores së Trump, saqë nuk u shqetësuan me komunikimin standard me përfaqësuesit e fushatës së tij – një vendim me të cilin shefat e tyre në kryeqytetet e tyre u zhgënjyen më vonë, sipas diplomatëve nga shumë vende.

John Bolton, ish-këshilltari i Trumpit për Sigurinë Kombëtare, tha se ai ka dëgjuar nga ambasadorët duke e pyetur atë se si do dukej një mandat i dytë i Trump. Ai kujtoi se takimet me Trump ndryshojnë në varësi të udhëheqësit të huaj, duke shtuar se ish-presidenti ka një tendencë për të ecur, gjë që udhëheqësve mund t’i duket “zhgënjyese”.

“Udhëheqës të ndryshëm i qasen atij në mënyra të ndryshme: disa përpiqen t’i bëjnë lajka, disa përpiqen të shtrëngojnë dhëmbët dhe të jenë të durueshëm,” tha Bolton, i cili është bërë kritik ndaj Trump.

“Nuk mund të thuash kurrë me siguri se çfarë do bëjë Trump në një takim.”

Trump në vitin 2019 pati një bisedë me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në të cilën Trump u përpoq të ndalonte ndihmën për Ukrainën nëse Zelensky nuk do pranonte se do hetonte Biden. Vendimi çoi në fajësimin e parë të Trump në Kongres.

Qeveritë e huaja i janë përgjigjur qëndrimit të Trump si kandidati i supozuar republikan si sinjal se është legjitime të fillonte takimin e drejtpërdrejtë me të, thanë diplomatët. Që nga fundi i vitit të kaluar, ndërsa gjasat që Trump mund të rikthehej u bënë më të qarta, ata janë takuar me përfaqësues të cilët janë përfshirë në të menduarit për politikën e jashtme të mundshme të mandatit të dytë të Trump.

Një vend i Lindjes së Mesme ka mbledhur një listë me 50 persona që beson se janë të afërt me Trump dhe 10 që mendon se do jenë në “rrethin më të ngushtë” të tij, sipas një personi të njohur me listën. Ai po studion nga afër punën e grupeve të ekspertëve konservatorë, veçanërisht Projekti 2025 i Fondacionit Heritage – për të kuptuar se kush mund të luajë pushtetin në një administratë të re Trump, dhe për të mësuar se si t’u afrohet atyre njerëzve, tha personi. Dhe vendi në Lindjen e Mesme u është drejtuar firmave lobuese që kanë aleatë të Trump-it.

Ndërkohë, kryediplomati i Biden-it, Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, e ka bërë zakon të takohet me krerët e opozitës nga vende të tjera, përfshirë ata të përfshirë në luftë, si Izraeli. Trump nuk ka biseduar me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, me të cilin ai mbetet i mërzitur sepse ai e përshëndeti Biden në zgjedhjet presidenciale në fund të vitit 2020 pas fitores dhe e tërhoqi Izraelin nga një mision i përbashkët ushtarak me Shtetet e Bashkuara në minutën e fundit, u ka thënë Trump të tjerëve privatisht.

Ndërkohë Cameron – duke qëndruar përkrah Blinken në Departamentin e Shtetit – vuri në dukje me qetësi se diplomati më i lartë i SHBA-së ishte takuar me kreun e Laburistëve Britanikë Keir Starmer në shkurt përpara zgjedhjeve të mundshme në Mbretërinë e Bashkuar më vonë këtë vit, të cilat janë gati të bëjnjë Starmer kryeministrin e ri të vendit.

Në Uashington, festat e ambasadës janë ende të populluara në masë të madhe nga administrata e Biden dhe zyrtarë demokratë. Dhe ambasadori evropian i përfshirë në diskutimet rreth Trump tha se mund të ketë disa “goditje” nga angazhimi me Trump-in, sepse kaq shumë demokratë dhe ekspertë të politikës së jashtme të Uashingtonit janë “alergjikë” ndaj tyre.

“Kjo e bën sjelljen normale pak më të ndërlikuar,” tha ambasadori.

“Megjithatë Trump është i nominuari apo kandidati republikan, nuk mund të bëjmë asgjë. Ne duhet të angazhohemi me të.”

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Washington Post

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani