Vendosni fjalën kyçe....

Masat e ndërmarra për sezonin turistik, Balluku: Fillojmë shumë shpejt operimet në Qendrën e Menaxhimit të Trafikut


Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka qenë e pranishme në takimin për masat e ndërmarra për sezonin turistik.

Gjatë fjalës së saj Balluku u shpreh se do të fillojnë shumë shpejt operimet në Qendrën e Menaxhimit të Trafikut.

Sipas saj aty ku parashikohet që të akomodohen të gjitha ato struktura që ndërhyn menjëherë, duke shkurtuar kështu kohën e ndërhyrjes në territor dhe duke i shërbyer padyshim edhe turizmit.

“Megjithatë duhet thënë që çka kuptuam nga të gjitha fjalimet tregojnë se kemi një fokus holistik të qeverisë në një nga sektorët më të rëndësishëm atë të turizmit. Sigurisht ky fokus holistik i qeverisë kërkon nga ana tjetër që të kemi një sinergji dhe bashkëpunim midis palëve. E thanë që të gjithë ministrat sesi do të funksionojë, ndërkohë që unë duke përfaqësuar këtu portofolin e infrastrukturës dhe të energjisë, si dy nga kolonat bazë mbajtëse të sektorit të turizmit do të thoja që ne do të fillojmë shumë shpejt operimet në Qendrën e Menaxhimit të Trafikut, aty ku parashikohet që të akomodohen të gjitha ato struktura që ndërhyn menjëherë, duke shkurtuar kështu kohën e ndërhyrjes në territor dhe duke i shërbyer padyshim edhe turizmit. Do të kemi aty ARRSH-n, Policinë e Shtetit, pra përmes Policisë Rrugore, Urgjencën Kombëtare, Emergjencat Civile dhe të gjithë ata trupa të cilët duhet të marrin informacion nga terreni.” tha Balluku.

Balluku theksoi se është bërë një punë e jashtëzakonshme nga Qeveria Shqiptare, nga institucionet dhe bashkitë kudo në vend, por një rol të madh promovues ka patur edhe kryeministri Edi Rama.

Ajo deklaroi se këtë vit projeksioni për numrin e turistëve parashikohet të jetë në 14 milionë.

“Por, çdo të ndodhë këtë vit? 14 milionë është projeksioni dhe nga ç’duket projeksionet gjithmonë gabojnë vitet e fundit, por gabojnë në mënyrë pozitive. Ajo që ne projektojmë është shumë më shumë në numër. Kështu që kini parasysh që në aeroportin e Rinasit në 2023 kemi përpunuar 7.2 milionë pasagjerë. Krahasuar me vitin 2019 kur kemi përpunuar 2 milionë pasagjerë me një lodhje dhe pamundësi të madhe. Si arrijmë sot të përpunojmë disa fishin. Arrijmë përmes një strategji të aviacionit civil, të cilën e kemi shpallur në vitin 2019 dhe është strategjia e portave hyrëse nga ajri, siç e ka quajtur kryeministri.”u shpreh ajo.

Më tej Balluku nuk la pa përmendur edhe sektorin e energjisë e cila tha se është një kolonë e rëndësishme e turizmit, prandaj për këtë Balluku siguroi se do të jenë 1500 elektricistë në dispozicion gjatë gjithë sezonit për të ndërhyrë për çdo lloj problematike.

Gjithashtu përgjatë fjalës së saj, Balluku preku edhe aktin normativ që i detyron të gjitha subjektet të ndara sipas kategorive që të vendosin impiante para përpunuese të ujërave të ndotura.

“Duhet pasur parasysh që energjia gjithashtu është një kolonë e rëndësishme e turizmit dhe në bashkëpunim me të gjithë kryetarët e bashkive ne kemi identifikuar këto zona të cilët mund të konsiderohen delikate përsa i përket edhe numrit të shtuar të turistëve gjatë sezonit, siç tha dhe Mirela që është zgjatur, dhe ne jemi të lumtur që nisë që në prill dhe përfundon në nëntor, por nga ana tjetër janë dhe zona delikate për shkak të relievit, edhe për shkak të një situate energjetike e cila është e trashëguar dhe me të gjithë punën që është bërë në këto 10 vite sigurisht ne kemi akoma shumë punë për të bërë përpara. Por kemi një përqendrim forcash, 1500 elektricistë do të jenë në dispozicion gjatë gjithë sezonit për të ndërhyrë për çdo lloj problematike, për të mos pasur vonesa mbi të gjitha dhe nga ana tjetër OSHEE ka marrë masa për të investuar në të gjithë Ultësirën Perëndimore dhe në zonat veriore dhe verilindore ku kemi nuklat e zhvillimit turistik.

Pasi identifikuam verën e kaluar që ujërat e ndotura që derdheshin në ujërat larës ishin një problem shumë i rëndë në të gjithë Ultësirën Perëndimore sidomos, morëm një vendim për miratimin e një akti normativ i cili i detyron të gjitha subjektet të ndara sipas kategorive që të vendosin impiante para përpunuese të ujërave të ndotura.” u shpreh Balluku.