Po zhvillohet Konferenca Kombëtare “Për sigurinë e turizmit në Shqipëri”, një organizim i përbashkët i Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, me pjesëmarrjen e kryeministrit Edi Rama.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro, në krye të fjalës së saj u shpreh se referuar shifrave të tre muajve të fundit, 1 në 5 njerëz në Shqipëri ka qenë shtetas i huaj e po ashtu kontratat e konfirmuara nga sektori privat që tregojnë për 30% më shumë se vitin që shkoi, flasin për pritshmëri të larta në flukse turistike.
“Prandaj garantimi i sigurisë është një përgjegjësi e lartë, veçanërisht në bregdet në muajt e pikut të sezonit turistik veror”, tha Kumbaro.
“I kemi filluar takimet me turoperatorët, me të gjithë prefektët dhe me kryetarët e bashkive bregdetare me të cilët do të vijojmë të jemi në një komunikim të pandërprerë 24 orë për çdo problematikë. Do të vazhdojë komunikimi intensiv dhe bashkëpunimi me Policinë e Shtetit përmes flotës së dedikuar të Policisë Kufitare për kontrollet mbi operimin e mjeteve motorike detare si skafe, motora uji, gomone, jahte etj.
Kemi certifikuar mbi 110 operatorë të turizmit detar dhe askush nuk do të mund të ushtrojë aktivitetin e turizmit detar dhe ujor nëse nuk do të jetë i pajisur me certifikatën përkatëse, dhe kjo vlen edhe për hapësirat e tjera ujore, si liqeni i Pogradecit, lumi i Shalës apo Liqeni i Komanit dhe mjetet do të bllokohen nga Policia e Shtetit nëse operohet pa certifikimin në Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit.
Nuk diskutohen prania e pangegociueshme e vrojtuesve të plazheve për çdo stacion si dhe gjithë sinjalistika orientuese për pushuesit. Ky detyrim është po aq i dosmodoshëm edhe për plazhet publike që menaxhohen nga bashkitë. Stafi i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit do të jetë gjatë gjithë sezonit veror në inspektim dhe me kompetenca të shtuara, pas ndryshime të fundit ligjore. Mund të anulohen edhe kontratat e stacioneve të plazhit dhe në mungesë të zbatimit të detyrimeve kthehen në stacione plazhi publike dhe menaxhohen nga bashkitë.”, u shpreh ministrja Kumbaro.
Përpos porosive për mbarëvajtjen e sezonit turistik në bregdet, ministrja Kumbaro shtoi se vitin e shkuar 4.5 milionë turistë vizituan Zonat e Mbrojtura dhe këtu theksoi se është shumë e rëndësishme siguria gjatë eksplorimit të terreneve malore, duke kërkuar shërbimin e guidave lokale për të shmangur incidentet.
“E gjej me vend të bëj edhe një thirrje për të gjithë tour operatorët dhe eksploruesit e zonave malore, të kërkojnë shërbimin e guidave kombëtare apo lokale që operojnë në zonat përkatëse, për të shmangur çdo incident, sepse përveçse kushton jetën e shëndetin, vendosim në rrezik edhe ekipet tona, por ka edhe kostot e veta.
Janë mbi 600 udhërrëfyes të certifikuar nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit. Me ligjin e ri të turizmit, kemi krijuar edhe më shumë lehtësi nga burokracitë certifikimin e udhërrëfyesve, prandaj përfitoj edhe nga ky rast për të ftuar këdo që ka pasion turizmin të investohet në këtë profesion”, u shpreh ministrja Kumbaro.
Në fund të fjalës së saj, Kumbaro u shpreh se Ministria e Turizmit dhe Mjedisit do të intensifikojë rolin e saj monitorues dhe në mbrojtje të standardeve në turizëm.