Vendosni fjalën kyçe....

Ndërtimet pa leje në Patok, arrestohet drejtori i IMT-së në Bashkinë e Kurbinit dhe ish kryeinspektori i IKMT-së


Policia e Lezhës ka zbatuar sot 5 masa sigurie të caktuara nga Gjykata e këtij qyteti për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, pas një hetimi për një objekt të ndërtuar pa leje në Patok të Kurbinit.

Forcat e rendit kanë ekzekutuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për shtetasin Jetmir Mzhika, 35 vjeç, banues në Fushë Mamurras, i cili ka detyrën e drejtorit të IMT në bashkinë e Kurbinit. Ndërkaq, është zbatuar masa e sigurisë “Arrest në shtëpi” për shtetasin Flor Gjini, 40 vjeç, banues në Lezhë, i cili ka qenë ish-kryeinspektor i IKMT në Lezhë.

Gjithashtu, janë pezulluar nga detyra dhe tre inspektorët e IMT-së, pranë Bashkisë së Kurbinit, shtetasit: R. I., 38 vjeç; Sh. P., 57 vjeç dhe A. P., 41 vjeç, të tre banues në Milot. “Gjykata ka caktuar masat e sigurimit personal në kuadër të një hetimi të kryer nga Prokuroria e Lezhës, për ndërtimin e paligjshëm të një objekti, në Patok” – thuhet në njoftimin e Policisë.

Çështja po hetohet nga prokuroria e Lezhës nën drejtimin e Sabri Kastratit. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Lezhës për veprime të mëtejshme.