Një portret i Gustav Klimt që ishte i paparë për gati një shekull është shitur për 32 milionë dollarë.
“Portreti i Fräulein Lieser”, që mendohet të jetë një nga veprat e fundit të piktorit austriak, krijoi një emocion të madh në botën e artit dhe u shit për shumën e lartë. Megjithatë çmimi i shitjes ishte më pak se gjysma e çmimit të marrë nga një pikturë tjetër e Klimt, “Dame mit Fächer” (Zonja me erashka) – në Londër vitin e kaluar. Portreti i fundit i përfunduar nga Klimt u bë vepra artistike më e shtrenjtë e shitur ndonjëherë në një ankand evropian, kur u shit për 08.4 milionë dollarë.
“Portreti i Fräulein Lieser” ishte konsideruar prej kohësh i humbur, sipas shtëpisë së ankandit të Vjenës. Megjithatë, kohët e fundit doli se ajo kishte qenë në pronësi private të një shtetasi austriak.
“Rizbulimi i këtij portreti, një nga më të bukurit e periudhës së fundit krijuese të Klimt, është një sensacion”, tha shtëpia e ankandeve në një deklaratë për shtyp në faqen e saj të internetit përpara shitjes së tij të mërkurën pasdite.
Dihet se gruaja në portret ka qenë anëtare e një familjeje të pasur hebreje austriake, e cila atëherë ishte pjesë e klasës së lartë të shoqërisë vjeneze, ku Klimt gjente klientët dhe modelet, megjithatë identiteti i saj nuk është plotësisht i sigurt.
Vëllezërit Adolf dhe Justus Lieser ishin industrialistët kryesorë në perandorinë austro-hungareze. Katalogët e punës së Klimt thonë se Adolf e porositi artistin të pikturonte vajzën e tij adoleshente Margarethe Constance. Megjithatë, hulumtimi i ri nga shtëpia e ankandeve sugjeron se gruaja e Justus, Lilly, e punësoi atë për të pikturuar një nga dy vajzat e tyre.