Deputeti i PD-së Dashnor Sula ka reaguar përmes një postimi në Facebook, në lidhje me protestën e qytetarëve të Belshit, pasi Bashkia e qytetit ka vendosur që të zhvendos tregun e mallrave.
Postimi:
Zhvendosja e tregut nga Belshi, rezultat i lobimeve nga oligarket e Tiranës!
Prej tri javësh po ndjek me vëmendje shqetësimet e tregtarëve në Belsh. Prej dekadash në Belsh si në shumë vende të Shqipërisë, një herë në javë organizohet pazari. Fillimisht kjo bëhej në rrugën buzë liqenit dhe prej shumë vitesh tashmë bëhet në dalje të Belshit në drejtim të fshatit Rrasë.
Çdo të shtunë në këtë zonë vendoseshin tregtarë që vinin nga I gjithë qarku dhe fshatrat e Elbasanit për të tregëtuar, rroba, orendi shtëpiake, fruta, perime, kafshë të gjalla etj. Të gjitha të ndara në sektore të ndryshme.
Ndërkohë klientët që blinin në këtë treg janë jo vetëm banorët e Belshit por edhe të fshatrave për-rreth.
Mirëpo së fundmi me një vendim të pakonsultuar me askënd, as me banorët, as me tregtarët kryetari i bashkisë ka vendosur të transferojë tregun në një vendodhje tjetër. Vendi i ri është rreth 4 kilometra nga Belshi, në mes të asgjëje. Larg qëndrës së Belshit dhe larg stacioneve të transportit publik.
Vendndodhja e re është në disfavor të gjithëve përveç disave. Pasi jam interesuar me banorët e zonës dhe tregtarët më thonë se dyshojnë se lobimi për zhvendosjen e tregut është bërë për interesa që vijnë nga Tirana. Vitin e fundit në Belsh janë hapur disa Supermarkete që vijnë nga Tirana, po ashtu filiale të pajisjeve shtëpiake që vijnë po ashtu si marka të njohura nga Tirana. Dhe sipas dëshmive nga tregtarët dhe banorët e zonës, të vetmit që përfitojnë nga zhvendosja e tregut janë vetëm ata.
Në këto kushte, kryetari I bashkisë së Belshit duhet të pezullojë vendimin dhe para se të marrë një hap të tillë të konsultohet me qytetarët, me grupet e interesit dhe më pas të marrë vendim. Kryetari I Bashkisë është zgjedhur nga banorët e zonës aty dhe jo nga biznesmenët e Tiranës, ndaj edhe vendimet duhet ti shërbejnë qytetarëve aty dhe jo interesave të dyshimta.