Nëntë deputetë të opozitës së vendit, anëtarë të Komisionit të Sigurisë, kanë kërkuar një dëgjesë me kreun e SPAK, Altin Dumanin. Kjo kërkesë ka ardhur, pas deklaratës të bërë nga Dumani, gjatë raportimit në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, “se disa çështje nuk mund të hetohen dot në Policinë e Shtetit, për shkak se zyrtarë të lartë të saj kanë bashkëpunuar me krimin”.
Nisur nga kjo deklaratë, nëntë deputetët opozitarë kanë thënë se “Dumani ka raportuat se nivelet e larta të Policisë së Shtetit kanë sabotuar hetime të rëndësishme, janë të pabesueshme si dhe kanë penguar hetimin e ngjarjeve të caktuara duke vështirësuar hetimet e SPAK”.
Për këtë arsye, ata kërkojnë Dumanin në mbledhjen më të afërt të këtij Komisioni, për të raportuar gjetjet e tij, dhe shqetësimet për këtë problematikë që e konsiderojnë si problem serioz për sigurinë kombëtare. Deputetët kërkues janë Ferdinand Xhaferi, Lindita Metaliaj, Isu Çelaj, Flamur Noka, Asllan Dogjani, Ervin Salianji, Lefter Gështenja, Kasem Mahmutaj, si edhe Monika Kryemadhi.
Për deklaratën e Dumanit, ka reaguar më herët edhe ministri Taulant Balla, që ka thënë se bashkëpunimi i policisë me SPAK është i shkëlqyer dhe se nuk ka pasur dekonspirim në operacionet e Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë së Posaçme.