Vendosni fjalën kyçe....

G7 arrin marrëveshjen për braktisjen e qymyrit  si burim energjie deri në vitin 2035


Ministrat e Energjisë të vendeve të G7-ës arritën një marrëveshje për mbylljen e termocentraleve me qymyr në gjysmën e parë të viteve 2030, në një hap të rëndësishëm drejt kalimit larg nga nafta, benzina e gazi.

“Ka një marrëveshje teknike, ne do e nënshkruajmë marrëveshjen përfundimtare politike të martën,” tha ministri italian i energjisë Gilberto Pichetto Fratin, i cili kryeson takimin ministror të G7 në Torino.

Të martën, ministrat do lëshojnë një komunikatë përfundimtare që do të japë hollësi për zotimet e G7 për të dekarbonizuar ekonomitë e tyre.

Pichetto tha se ministrat po mendonin gjithashtu për kufizime të mundshme për importet ruse të gazit natyror të lëngshëm në Evropë, të cilat Komisioni Evropian do i propozojë në afat të shkurtër.

Marrëveshja për qymyrin shënon një hap të rëndësishëm në drejtimin e treguar vitin e kaluar nga samiti i klimës COP28 i Kombeve të Bashkuara për të hequr dalëngadalë karburantet fosile, nga të cilat qymyri është më ndotësi.

Italia vitin e kaluar prodhoi 4.7% të totalit të energjisë elektrike nëpërmjet disa stacioneve me qymyr. Roma planifikon të mbyllë fabrikat e saj deri në vitin 2025, me përjashtim të ishullit të Sardenjës ku afati përfundimtar është 2028.

Në Gjermani dhe Japoni qymyri ka një rol më të madh, ku pjesa e energjisë elektrike e prodhuar nga karburanti është më e lartë se 25% e totalit vitin e kaluar.