Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve e gjen Shqipërinë me nivelin më të ulët të pagës në rajon, thotë Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta.
Në një postim në Facebook, Meta shkruan se fuqia punëtore po largohet masivisht për shkak të kushteve të këqija të punës.
“Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve, vit pas viti e gjen Shqipërinë me nivelin më të ulët të pagës në rajon dhe në Europë, ku fuqia punëtore më e kualifikuar largohet masivisht, për shkak të kushteve të këqija të punës, mosvlerësimit të meritokracisë dhe mungesës së shpresës.
Përqendrimi i ekonomisë tek ndërtimi dhe favorizimi i oligarkisë zhvatëse ka thelluar papunësinë, mjerimin dhe përjashtimin social, ka mbyllur qindra mijëra vende pune, duke dëmtuar rëndë biznesin e ndershëm, turizmin, bujqësinë e blegtorinë dhe dëmtuar rëndë mirëqenien e familjeve të thjeshta punëtore.
Pesë prioritetet e Partisë së Lirisë për 4 milion shqiptarë plus jo vetëm i japin fund dramës së shpopullimit por edhe shpërblejnë punën, njerëzit e punës dhe meritokracinë, mbështetin prodhimin vendas, garantojnë zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe një Shqipëri, fuqi eksportuese”, shkruan Meta.