Vendosni fjalën kyçe....

Dhurata Çupi: Transparencë për provimin te Magjistratura, drejtuesit të raportojnë në Komisionin e Ligjeve


Nënkryetarja e Komisionit të Ligjeve Dhurata Çupi ka thënë se anëtarët e opozitës në komision do këmbëngulin në kërkesën për transparencë lidhur me provimin e pranimit në Shkollën e Magjistraturës.

Gjatë mbledhjes së komisionit ajo tha se ka hije dyshimi lidhur me  këtë gjë dhe se opozita do rikërkojë zyrtarisht raportimin para komisionit të drejtorit të Shkollës së Magjistraturës dhe Këshillit Drejtues të saj.

“Anëtarët e opozitës në Komisionin e Ligjeve do të këmbëngulin në kërkesën për transparencë mbi hijet e manipulimit të provimit të pranimit në Shkollën e Magjistraturës. Mazhoranca nuk duhet të pengojë as transparencën dhe as llogaridhënien e institucioneve publike, duke garantuar padyshim parimin e ndarjes dhe balancës mes pushteteve. Zyrtarisht do të ripërsërisim kërkesën për raportim në Komisionin e Ligjeve të Drejtorit dhe Këshillit Drejtues të Shkollës së Magjistraturës. Administrimi i rregullt dhe korrekt i provimit për pranimin në Shkollën e Magjistraturës të kandidatëve për gjyqtarë dhe prokurorë është garanci për pavarësinë dhe integritetin e sistemit të drejtësisë në të ardhmen. Kuvendi nuk mund të qëndrojë indiferent ndaj shqetësimit publik të këtyre ditëve, që ngre dyshime serioze mbi procesin dhe rrezikon besueshmërinë e sistemit të drejtësisë për të paktën 30 vitet e ardhshme.” – tha Çupi.