Vendosni fjalën kyçe....

Mësues e minatorë në protestë për 1 Maj, çfarë ndodhi në Ditën Ndërkombëtare të Punës


Teksa sot është 1 Maji, Dita Ndërkombëtare e Punës, mësuesit u mblodhën në qendër të Tiranës për të protestuar.

Si fillim ata nisën një marshim paqësor drejt Ministrisë së Arsimit.

Mësuesit zgjodhën që me banderola dhe parulla të protestojnë në këtë ditë që simbolizon më shumë të drejta për punëtorët.

“Nuk ka arsim cilësor pa mësues të mirëpaguar!’, citohet në një prej mesazhe të protestuesve.

Pjesë e protestës ishte edhe Sindikata e Pavarur e Arsimit, e cila zgjodhi që në ditën e punëtorëve të dalin në protestë për pakënaqësitë e mësuesve ndërsa njëzëri kërkojnë dyfishim të pagave me argumentin që ky profesion të zgjidhet nga maturantët, pasi degët e mësuesisë janë në rrezik.

“Duhet dyfishim i pagave që profesioni i mësuesit të bëhet profesion i kërkuar nga maturantët. Në degët e mësuesisë, në Elbasan, Gjirokastër, Shkodër, Korçë janë mbyllur fare. Degët e Matematikës, Fizikës, Kimisë, Biologjisë është një numër i vogël i studentëve që është i pamjaftueshëm për të zëvendësuar mësuesit që dalin në pension. E ardhmja e mësimdhënësve lë shumë për të dëshiruar”, tha një përfaqësues.

Arsimtarët kërkuan rritje të buxhetit për arsimin, duke thënë se nuk mund të ketë kushte të mira pa një rritje të buxhetit.

“Ne kemi kërkuar që kryeministri të mbajë premtimin që buxheti për arsimin do jetë 5% e PBB. Kjo duhet zbatuar sa më shpejt të jetë e mundur, s’mund të ketë infrastrukturë, s’mund të ketë SMIP pa trajnuar mësuesit, s’mund të ketë laboratorë pa rritur buxhetin. Nëse s’do jetë 5% e PBB s’mund të ketë rritje pagash. Ne kërkojmë që profesioni i mësuesit të jetë i dëshiruar nga të rinjtë. Pa arsim cilësor s’mund të ketë të ardhme ky vend”, tha një tjetër përfaqësues i Sindikatës. 

Më pas Sindikatat e mësuesve e zhvendosën  protestën e tyre këtë 1 maj, nga ministria e Arsimit tek Kryeministria. Një prej mësuesve foli gjatë protestës duke bërë thirrje qeverisë, të financoj arsimin publik.

“I jepni mësuesit 10 muaj transporti. Financoni arsimin publik. Pa arsim publik, nuk ka arsim cilësor. Se nga financimi vjen dhe ngarkesa për mësuesi. Aq më shumë mësues cilësor do kemi. I nderuar zoti kryeministër plotëso kërkesat e sindikatave”, u shpreh njëri prej arsimtarëve.

Ndërkohë një tjetër paralajmëroi ministrinë e Arsimit të bashkëpunoj me sindikatat në protestën e tyre, ndryshe do përshkallëzohet lëvizja.

“Në rast se Ministria e Arsimit nuk do bashkëpunoj nënshkruesit e kësaj kontrate kolektive, sindikatat do përshkallëzojnë në lëvizje sindikale, në protesta, në greva”, tha ai.

Ndërkohë pjesë e kësaj proteste në ditën e punëtorëve ishin edhe  Ish-minatorët dhe pensionistët.

Ish-minatorët u mblodhën gjithashtu te sheshi Skënderbej ndërsa kërkuan më shumë kushte për ta, duke nisur nga statusi dhe pensionet.

Ndërkohë Konfederata e sindikatave organizuan një protestë tek rruga e Rinasit, ku pritet të bllokojnë dhe qarkullimin.

Ashtu siç ishte paralajmëruar edhe më parë, në këtë 1 maj, kjo sindikatë synon të sensibilizojë me protestën e saj që të  rinjtë të mos largohen nga vendi.

Me pankarta dhe flamuj në duar, për gjatë rrugës ata i bënë thirrje të rinjve me mesazhin të mos braktisin atdheun por të kujdesen për të.

Gjithashtu ata me pankartat e tyre u bënë thirrje politikbërësve të hartojnë politika për të mbajtur të rinjtë ne vend.

Ata u vendosën përgjatë rrugës së re, degëzim i rrugës së Rinasit, ku marrin pjesë kategori të ndryshme, si ajo e autoshkollave, minatorë etj.