Prej ditës se sotme ka hyrë në fuqi zbatimi i marrëveshjes, sipas së cilës qytetarët e Shqipërisë dhe të Kosovës do të kalojnë përmes pikës kufitare të përbashkët Shqipëri-Kosovë me procedura të shpejtuara përgjatë 9 muajve të vitit dhe në fundjavat e festat. Më herët kjo periudhë e lehtësimit të lëvizjes ishte në 4 muajt e verës.
Qytetarët e Kosovës që kane zgjedhur të udhëtojnë sot thonë se zbatimi i kësaj marrëveshje lehtëson ndjeshëm kalimet në kufi.
Që në orët e para të ditës së sotme, pika doganore e Morinës është përballur me një fluks të madh udhëtarësh nga Kosova të cilët udhëtonin drejt Shqipërisë për të festuar Ditën e 1 Majit, por edhe për të kaluar disa ditë pushimi.
Vetëm në orët e para të ditës së sotme nga Kosova kanë hyrë në Shqipëri rreth 5 mijë shtetas të Kosovës dhe 3 mijë mjete të vogla e dhjetëra autobusë.