Vendosni fjalën kyçe....

Ndryshimet në ligjin për territorin, Balluku: Organ i ri për menaxhimin e burimeve ujore


Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, znj. Belinda Balluku ka prezantuar projektligjin për ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.107 “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”.

Ndryshimet synojnë adresimin e problematikave duke i përmirësuar kompetencat dhe organizimin në fushën e planifikimit urban dhe menaxhimit të burimeve ujore. Krijimi i Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit, si organ qendror me përgjegjësi të zgjeruara, do të lehtësojë procedurat për leje ndërtimi duke reduktuar burokracinë.

Ndryshimet gjithashtu synojnë të përmirësojnë dokumentacionin e planifikimit të territorit, të saktësojnë procedurat për leje zhvillimi, dhe të rrisin efikasitetin dhe transparencën përmes digjitalizimit.

Ky ligj përshpejton procedurat për investime strategjike dhe zhvillime komplekse, tha Balluku, duke përfshirë dhe shërbimin “One Stop Shop”.

Projekti synon të forcojë standardet e planifikimit dhe të zhvillimit të territorit, duke theksuar nevojën për një proces transparent dhe të digitalizuar për avancimin ekonomik dhe uljen e burokracisë.

Ministrja ka ftuar deputetët të votojnë këtë projektligj për një qasje më të konsoliduar dhe modernizimin e proceseve ligjore për tërheqjen e investimeve vendase dhe të huaja në vend.

Fjala e plotë e ministres:

E nderuar kryetare!

Të nderuar kolegë!

Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.107 “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, të ndryshuar, vjen si domosdoshmëri për shkak të të gjithë eksperiencës dhe praktikave që kemi pasur në kaq vite. Ndryshimet e propozuara synojnë të adresojnë këto problematika që i kemi hasur gjatë zbatimit të ligjit.

Vitet e fundit janë shenjuar nga një rritje e qëndrueshme ekonomike e vendit si dhe nga një zhvillim i fuqishëm dhe i paimagjinueshëm pak vite më parë i sektorëve të caktuar si turizmi, bujqësia, sektori i ndërtimit në përgjithësi, infrastruktura etj. Veçanërisht në sektorin e turizmit ku shifrat janë përtej çdo parashikimi, ashtu siç e kemi përsëritur edhe në projektligjin pararendës. Shifrat tashmë, vetëm ata që vijnë nga ajri kanë qenë 7.2 milionë vitin e kaluar dhe presim në Rinas 9.4 milionë, duke pasur një projeksion për të gjithë vendin gjatë vitit 2024 rreth 14 milionë vizitorë. Të gjithë këto sigurisht duhet të akomodohen në njësi akomoduese, të cilat duhet të jenë të shtrira në të gjithë vendin, sipas kërkesave të turistëve që vijnë në vendin tonë.

Megjithatë duhet të kemi parasysh që të gjitha këto kërkesa bazohen në nevojat e biznesit shqiptar për tu zhvilluar. Bazohen sigurisht në nevojat e sektorëve specifikë dhe nga ana tjetër tashmë edhe këto sektorë, siç është rasti i bujqësisë apo nënsektorit të agroturizmit, apo siç është rasti i turizmit, tashmë kanë filluar të klasifikohen edhe në nënsektorë, siç është rasti i turizmit elitar apo turizmit familjar. Të gjitha këto kërkojnë që të adresohen përmes një legjislacioni, një kuadër ligjor të mirëqartësuar dhe kjo ka qenë arsyeja pse ne kemi nisur rishikimin e këtij ligji.

Të gjitha këto arritje janë rezultat i politikave të Qeverisë, strategjive dhe programeve që ne kemi implementuar në 10 vitet e fundit dhe sigurisht incentivimit që kanë marrë sektorët e ndryshëm. Kjo qasje synon të mbështesë edhe më tej ecurinë e qëndrueshme ekonomike të vendit. Synimi ynë është të vijojmë me reformat, të forcojmë dhe konsolidojmë institucionet, të rrisim cilësinë e shërbimeve për qytetarët dhe bizneset, përmes dixhitalizimit dhe sigurisht shërbimeve të cilat duhet të jenë të zhveshura dhe të thjeshtësuara nga burokracia.

Parë në këtë këndvështrim ndryshimet e propozuara sot nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë për ligjin “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit” synojnë krijimin e një organi të ri, në nivel qendror, me kompetenca të plota në fushën e planifikimit dhe zhvillimit urban, që tashmë do të ketë edhe përgjegjësinë e fushës së menaxhimit të burimeve ujore, në kuadrin e shqyrtimit të aplikimeve për lejet për zhvillim apo leje ndërtimi. Ky këshill tashmë do të quhet Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit. Me këtë ndryshim janë shtuar edhe përgjegjësitë e Agjencisë së Zhvillimit të Territorit, në cilësinë e Sekretariatit Teknik të Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit, në drejtim të ndërveprimit që kemi me institucionet e tjera shtetërore, në emër dhe në llogari të aplikuesit, gjatë procedurës së shqyrtimit, miratimit dhe lëshimit të autorizimit të lejeve parësore apo dytësore, të cilat janë të domosdoshme, në funksion të miratimit të lejes së ndërtimit.

Pra e thënë dhe e thjeshtësuar, do të ketë një interaktivitet nga ana e AZHT, pra nga ana e agjencisë që kryen rolin e sekretariatit për Këshillin Kombëtar të Territorit dhe të Ujit tashmë, për të mbledhur të gjithë dokumentacionin e duhur direkt, pa e detyruar që këtë ta bëjë subjekti aplikues. Kjo do të ulë afatet e zbatimit të daljes së lejes së zhvillimit apo të ndërtimit, por nga ana tjetër do të ulë edhe të gjithë burokracinë që deri dje subjektet haseshin jo rrallë herë. 

Detajimin dhe ndarjen e kompetencave, kjo është pika e dytë që adreson ky ligj. Kemi detajimin dhe ndarjen e kompetencave të Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit sipas dy fushave, përkatësisht fushës së planifikimit urban dhe asaj të zhvillimit urban. Këshilli Kombëtar i Territorit duke qenë një organ që e zhvillon veprimtarinë për të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, i është njohur e drejta për të miratuar kërkesat për leje ndërtimi të zhvillimeve komplekse, të cilat konsiderohen të tilla, për shkak të veçorisë së zhvillimit, interesit shtetëror dhe kompleksitetit të tij. Për këtë arsye, në këtë projektligj sugjerohet që të bëhet saktësimi në lidhje me kompetencat e Këshillit Kombëtar të Territorit dhe të Ujit, duke i klasifikuar ato përkatësisht në fushën e planifikimit, ku janë përfshirë edhe ato që lidhen me menaxhimin e burimeve ujore dhe atë të zhvillimit të territorit.

Një pikë tjetër që adresohet në ndryshimet ligjore që propozojmë sot është saktësimi i dokumenteve të planifikimit të territorit në nivel qendror, nëpërmjet shtimit të dy dokumenteve të reja në nivel qendror, si dhe procedurave që ndiqen gjatë miratimit apo rishikimit të tyre.  Në projektligj propozohet një saktësim i klasifikimit të dokumenteve të Planifikimit të Territorit në nivel qendror, ku krahas dokumenteve ekzistuese, plani i përgjithshëm kombëtar i territorit, për gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë; planet kombëtare sektoriale, për të gjithë ose një pjesë të territorit dhe planet e detajuara për zona me rëndësi kombëtare, shtohen edhe dy dokumente të reja, përkatësisht: Plani Kombëtar i Hapësirës Detare, për të gjithë hapësirën detare të Republikës së Shqipërisë dhe Planet e detajuara qendrore.

Ndërkohë gjithashtu do të adresohet si parashikim i një procedure të përshpejtuar një ëorkfloë e të gjithë kërkesave nga momenti i aplikimit deri në miratimin e lejes së zhvillimit apo e lejes së ndërtimit. Në këtë projektligj propozohet vendosja e procedurës së përshpejtuar për shqyrtimin e aplikimeve, si dhe rastet kur mund të aplikohet kjo procedurë në praktikë, e cila në përputhje dhe me rregullat e detajuara në Rregulloren e Zhvillimit të Territorit, mund të zbatohet për Investime strategjike;  Zhvillime komplekse brenda Brezit Bregdetar, që sigurisht është shpallur një zonë e rëndësisë së veçantë prej kohësh.

Gjithashtu është e rëndësishme të thuhet sepse brenda këtij ligji ne do të akomodojmë edhe atë që quhet “One Stop Shop”, shërbimi me një ndalesë. Gjithçka e përmbledhur duke përdorur kështu dixhitalizimin e sistemeve tona, por nga ana tjetër duke pasur mundësinë edhe të shkurtojmë ndjeshëm burokracinë. Duke i dhënë një fuqi tjetër AZHT-së, kemi një ndryshim rrënjësor të funksionit të Sekretariatit i cili tashmë me anë të këtij ligji kalon si një institucion me vetëfinancim. Ky burim financimi do të sjellë lehtësira financiare për vetë institucionin duke i dhënë mundësi që të mbledhë pranë vetes edhe ekspertë të fushës siç janë arkitektët, juristët apo edhe inxhinierët e konstruksionit, ku gjithashtu do të garantohet efikasiteti dhe çfarë është më e rëndësishme dhe që është thelbi, fryma dhe gërma e këtij ligji ka të bëjë me shpejtësinë, uljen e burokracisë, dixhitalizimin dhe transparencën.

Organizimi i Regjistrit Kombëtar për planifikimin e territorit është një tjetër risi që vjen përmes këtij projektligji ku saktëson mënyrën e organizimit të këtij Regjistri, i cili parashikohet të organizohet me tre komponentë, sistemin elektronik të e-planifikimi; Harta GIS, ku shfaqen dhe ruhen të gjitha materialet që i përkasin fazave të ndryshme të hartimit të dokumenteve të planifikimit dhe arkiva, ku depozitohen të gjithë dokumentet e planifikimit të cilat janë finalizuar me miratimin e tyre.

Projektligji që sjellim sot në Kuvend synon të forcojë standardet e planifikimit dhe ato të zhvillimit të territorit, si dhe të harmonizojë nivelin e ndërhyrjes në raport në raport të drejtpërdrejt parimor dhe hierarkik të akteve, si në çështjet e planifikimit dhe në ato të zhvillimit.

Projektligji nuk krijon asnjë mbivendosje të kompetencave të IKMT-së dhe të IMT-ve me kompetencat e shtuara të AZHT-së për monitorimin e zhvillimeve në territor. Këto kompetenca janë të ndara qartësisht dhe kompetencat e reja të AZHT-së i shërbejnë ngushtësisht veprimtarisë së këtij institucioni duke mos cenuar veprimtarinë e organeve zbatuese sipas ligjit për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve në territor.

Për të gjithë sa më lart ftoj të gjithë deputetët që ta votojnë këtë projektligj duke i hapur rrugë një qasje më të konsoliduar. Duke i hapur rrugë një transparence më të lartë dhe padyshim dixhitalizimit të një procesi shumë të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik dhe mbi të gjitha uljen e proceseve burokratike për t’u bërë kështu sa më biznesin vendas, por edhe për investitorët e huaj.