Protestuesit u përleshën me policinë në kryeqytetin gjeorgjian dhe u përpoqën të hyjnë në parlament të mërkurën mbrëma, ndërsa trazirat kundër një projektligji të diskutueshëm të “agjentëve të huaj” vijojnë.
Një turmë e madhe u mblodh jashtë parlamentit në Tbilisi për të dytën natë me radhë, pas përleshjeve me policinë një natë më parë, me aktivistët që valëvitnin flamujt e Gjeorgjisë dhe të BE-së.
Kryeqyteti është përfshirë në trazira nga protestat për një projektligj që do detyronte organizatat që marrin më shumë se 20% të financimit të tyre nga jashtë të regjistrohen si “agjentë të huaj”. Ligjvënësit miratuan masën në një votim të dytë të mërkurën.
Një grup protestuesish, disa të veshur me maska, çmontuan gardhet e sigurisë dhe provuan të depërtojnë në kompleksin parlamentar. Policia u përgjigj me makina ujëhedhëse dhe spërkatës piperi.
Disa protestues u filmuan duke u përleshur me oficerët dhe duke kundërshtuar arrestimin. Sipas Kanalit të Parë të Gjeorgjisë, protestuesit ngritën barrikada dhe bllokuan disa rrugë në qendër të Tbilisit.
Një total prej 63 personash u arrestuan natën e kaluar, kur aktivistët u përleshën gjithashtu me policinë, u tha gazetarëve zëvendësministri i Brendshëm Alexander Darakhvelidze.
Partia kryesore opozitare pro-perëndimore, Lëvizja e Bashkuar Kombëtare, tha se kreu i saj Levan Khabeishvili ishte “rrëmbyer” dhe rrahur nga policia në orët e para të së mërkurës. Khabeishvili mori pjesë në një seancë parlamenti më vonë atë ditë me fasha në hundë dhe ballë.
Opozita e ka quajtur projektligjin e diskutueshëm “një ligj rus”, duke bërë një krahasim me legjislacionin që u miratua në Rusi në vitin 2012 dhe që atëherë është zgjeruar. Kundërshtarët këmbëngulin se qeveria do përdorë legjislacionin për të goditur disidencën dhe median e pavarur.
Partia qeverisëse Ëndrra Gjeorgjiane argumenton se projektligji është më afër Aktit të Regjistrimit të Agjentëve të Huaj të SHBA të vitit 1938 dhe është në përputhje me standardet e BE-së.
Kryeministri Irakli Kobakhidze mbrojti projektligjin të mërkurën, duke pretenduar se OJQ-të dhe mediat po shfrytëzojnë mungesën e transparencës së tyre për t’u “përfshirë në veprimtari që shkojnë plotësisht kundër interesave të shtetit dhe shoqërisë gjeorgjiane”, përfshirë “propagandën e drogës dhe LGBT”. ”
Qeveria e prezantoi fillimisht projektligjin vitin e kaluar, por u detyrua ta tërhiqte atë pas protestave dhe përplasjeve.