Vendosni fjalën kyçe....

Zbulimi i çuditshëm, pesë skelete pa duar e këmbë gjenden jashtë shtëpisë së liderit nazist Hermann Göring


Arkeologët kanë zbuluar skeletet e pesë personave, të cilëve u mungojnë duart dhe këmbët, në një ish-bazë ushtarake naziste në Poloni.

Ata u zbuluan në një qendër komanduese naziste të njohur si “Strofulla i Ujkut” në Gierloz, Poloninë verilindore, pasi grupi zbuloi një fragment të një kafke njerëzore gjatë një gërmimi më 24 shkurt dhe njoftoi autoritetet, të cilat vendosën të kryenin gërmime të mëtejshme.

Eshtrat u përkisnin tre të rriturve, një adoleshenteje dhe një foshnjeje të porsalindur, sipas një deklarate nga “Fondacioni Latebra”, një organizatë historike me qendër në qytetin polak të Gdansk.

Pesë trupat ishin vendosur pranë njëri-tjetrit, përballë në të njëjtin drejtim, jashtë një shtëpie të zënë nga komandanti nazist Hermann Göring, një pilot luftarak gjatë Luftës së Parë Botërore, i cili u bë një nga udhëheqësit më të fuqishëm nazistë në Luftën e Dytë Botërore dhe një mik i ngushtë i Adolf Hitlerit.

Krahas tyre u gjetën dërrasa dhe mbetje të infrastrukturës së ujërave të zeza, por nuk kishte asnjë gjurmë veshjesh, thuhet në deklaratë.

Adrian Kostrzewa, një anëtar i bordit të drejtorëve të fondacionit, i tha CNN se ekipi fillimisht mendoi se po gërmonin një banjë të vjetër kur gjetën tuba nën tokë.

Megjithatë, ata më pas gjetën hi dhe një çelës të djegur, përpara se ai të gjente copëzën e kafkës.

“Ishte shumë befasuese,” tha ai.

Fondacioni po pret të dëgjojë rezultatet e një hetimi policor për eshtrat dhe shumë pyetje mbeten pa përgjigje.

“Ka shumë teori pse ata nuk kanë duar dhe këmbë,” tha Kostrzewa.

“Tani për tani është shumë e vështirë të thuhet.”

Një hap tjetër i rëndësishëm është zbulimi i moshës së mbetjeve duke përdorur radio karbonin, shtoi ai.

E ndërtuar qëllimisht milje larg qytetërimit në pyjet e Polonisë verilindore, “Strofulla e Ujkut” ishte selia e Frontit Lindor prej 6,5 kilometrash katrorë të nazistëve.

“E veçanta e këtij zbulimi qëndron në faktin se kufomat u gjetën në mjediset e kompleksit më të mbrojtur të Rajhut të Tretë”, thuhet në deklaratë. Hitleri kaloi gati tre vjet atje në total.

Kalaja ishte vendi i Operacionit Valkyrie, një atentat kundër Hitlerit në korrik 1944, përpara se të shkatërrohej në janar 1945 për të parandaluar që ajo të binte në duart e ushtrisë sovjetike që përparonte, sipas fondacionit.