Deputetja e opozitës Ina Zhupa ka reaguar lidhur me lirinë e medias në Ditën e Lirisë së Shtypit, ku thotë se brenda një viti janë kryer 30 sulme ndaj gazetarëve dhe medias në Shqipëri. Edhe Zhupa në reagimin e saj ka shigjetuar kryeministrin Rama duke thënë se është abuzues dhe shantazhues ndaj gazetarëve.
Ndërkohë, Zhupa përmend edhe rastin e sulmit me armë ndaj Top Channel, ngjarja për të cilën thotë se ende nuk është zbardhur.
“Vetë kryeministri Rama është abuzues, kërcënues dhe shantazhues ndaj gazetarëve pyetjet e të cilëve nuk i pëlqen. Ka krijuar një mjedis lincimi për gazetarët dhe këtë e reflektojnë në sjellje edhe gjithë zyrtarët publik që nuk i përgjigjen gazetarëve apo i lincojnë ata. Në krye të medias publike RTSH është vënë politikani Alfred Peza, duke thyer çdo rregull ligjor. Ai ka larguar 146 punonjes të medias, ku pjesa e madhe e tyre gazetare e punonjes me 20-30 vite eksperienca në këtë televizion dhe në media.
Për herë të parë gjatë 2023 u shpërfill kushtetuta që garanton lirinë e shtypit, mbrojtjen për konfidencialitetin e burimeve dhe prokuroria ka sekuestruar materiale të gazetarit investigativ Elton Qyno dhe ka ushtruar kontroll dhe presion mbi të. Në lidhje me sigurinë e gazetarëve, Parlamenti Shqiptar votoi kundër propozimit tim ligjor për më shumë mbrojtje gazetarëve dhe punonjësve të medias, që goditeshin, dhunohehin për shkak të detyrës në shërbim të interesit publik.
Në mars të vitit 2023, selia e Top Channel ishte shënjestër e një sulmi të paprecedentë me armë automatike që vrau një nga rojet e sigurisë dhe ende nuk kemi asnjë fajtor për këtë. Mediat kritike përballen me sulme qeveritare të lidhura edhe me bizneset e tjera të pronarëve të medias. Ndërsa financimi shtetëror nëpërmjet reklamave ndahet si shpërblim për ata që nuk kanë qëndrime kritike ndaj qeverisë.
Si anëtare e komisionit të medias gjykoj se puna e komisionit tonë lë për të dëshiruar, në 3 vjet asgjë në këtë drejtim. Kërkesa ime e fundit për një mbledhje pikërisht me këtë fokus u kundërshtua sepse prekej kryeministri i tyre, cënuesi më i madh i medias. Media e lirë është frymëmarrja e demokracisë, heshtja e vret demokracinë”, shkruan Zhupa.