Joshua Dean, një ish-punonjës i “Spirit AeroSystems”, i cili ngriti alarmin për standardet e dobëta në prodhimin e avionit 737 MAX të Boeing, ka vdekur pas një sëmundjeje të papritur dhe të rëndë, shkruan NPR.
Në mars, një tjetër sinjalizues i Boeing u gjet i vdekur në një parking hoteli në atë që autoritetet e përshkruan paraprakisht si vetëvrasje.
Avioni 737 MAX ka pasur një histori aksidentesh, duke përfshirë dy që çuan në vdekje të shumta. Në tetor 2018, një nga avionët u rrëzua në Indonezi, duke marrë jetën e 189 njerëzve në bord. Pesë muaj më vonë, një tjetër Boeing 737 MAX – i operuar nga Ethiopian Airlines – u rrëzua menjëherë pas ngritjes, duke vrarë 157 pasagjerët dhe ekuipazhin. Dy tragjeditë shkaktuan një ndalim 20-mujor të aeroplanit.
Në janar, një Boeing 737 MAX-9 i operuar nga Alaska Airlines pa një nga dyert e tij dhe një pjesë të trupit të avionit të shkëputet në ajër, menjëherë pas ngritjes. Një auditim nga Administrata Federale e Aviacionit të SHBA (FAA) e Boeing dhe një prej furnizuesve të saj kryesorë, “Spirit AeroSystems”, më pas “identifikoi çështje të mospërputhshmërisë në kontrollin e procesit të prodhimit të Boeing, trajtimin dhe ruajtjen e pjesëve, dhe kontrollin e produktit”.
Familjarët e Deanit zbuluan se ish-auditori i cilësisë në “Spirit AeroSystems” ndërroi jetë mëngjesin e së martës. Të afërmit e tij thanë se ai ishte shtruar në spital pak më shumë se dy javë më parë me probleme në frymëmarrje. Dean u intubua, u prek nga pneumonia dhe u më pas nga një infeksion Stafilokoku rezistent ndaj antibiotikëve me përhapje të shpejtë.
45-vjeçari, i cili mësohet se ishte shëndoshë e mirë dhe bënte një mënyrë jetese të shëndetshme, u vendos në një aparat që e mbante në jetë.
Në tetor 2022, Dean tha se kishte zbuluar një defekt serioz prodhimi në prodhimin e një përbërësi kyç që ndihmon Boeing 737 MAX të mbajë presionin normal. Ai pretendoi se drejtuesit zgjodhën të shpërfillnin paralajmërimet e tij, pas së cilës ai paraqiti një ankesë në FAA, duke pretenduar “sjellje të keqe serioze dhe të rëndë nga drejtuesit e lartë të linjës së prodhimit 737”.
“Spirit AeroSystems” e shkarkoi Dean në prill 2023, duke e akuzuar lidhur me një defekt tjetër të madh. Sinjalizuesi më pas paraqiti një ankesë në Departamentin e Punës, duke pretenduar se shkarkkimii tij ishte në shenjë hakmarrjeje për zbulimet e tij.
Në mars, ish-menaxheri i cilësisë së Boeing, John Barnett, i njohur për ngritjen e shqetësimeve në lidhje me standardet e prodhimit të firmës, u gjet i vdekur me një plagë me armë zjarri ditë përpara se të jepte dëshmi në një proces gjyqësor kundër gjigantit të hapësirës ajrore.
Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani