Turqia nuk do rifillojë tregtinë me Izraelin, me vlerë 7 miliardë dollarë në vit, derisa të sigurohet një armëpushim i përhershëm dhe ndihma humanitare në Gaza, tha të premten Ankaraja, ndër partnerët kryesorë të Izraelit që ndalon tregtinë lidhur me luftën.
“Qëndrimi pa kompromis i Izraelit dhe përkeqësimi i gjendjes në rajonin jugor të Rafahut të Gazës, ku Izraeli ka kërcënuar të nisë një ofensivë të re, e shtynë Turqinë të ndalojë të gjitha eksportet dhe importet”, tha ministri i Tregtisë Omer Bolat.
Ministri i Jashtëm i Izraelit, Israel Katz, kritikoi masën e presidentit turk Erdogan, të njoftuar të enjten vonë, duke thënë se ajo shkel marrëveshjet ndërkombëtare të tregtisë dhe është “sjellje prej diktatori”.
Grupi militant Hamas, i cili sundon Gazën, e vlerësoi vendimin si të guximshëm dhe mbështetës të të drejtave palestineze.
“Ne vendosëm të ndalojmë eksportet dhe importet në Izrael dhe nga Izraeli derisa të arrihet një armëpushim i përhershëm në Gaza dhe ndihma humanitare të lejohet pa ndërprerje”, tha ministri Bolat.
Turqia po negocion “me vëllezërit tanë palestinezë për marrëveshje alternative për të siguruar që ata të mos preken nga ky vendim”, shtoi ai duke njoftuar shifrat tregtare të prillit.
Muajin e kaluar, Turqia frenoi eksportet e çelikut, plehrave dhe karburantit të avionëve në mesin e 54 kategorive të prodhimeve turke pas kundërshtimit të Izraelit për të lejuar Ankaranë të marrë pjesë në operacionet e ndihmave ajrore për Gazën.
E gjithë tregtia e mbetur, e cila arriti në 5.4 miliardë dollarë në eksportet turke dhe 1.6 miliardë dollarë në importet izraelite vitin e kaluar, tani është ndalur.