Vendosni fjalën kyçe....

Zbulohet data për bisedimet e paqes në Ukrainë të propozuara nga Zvicra


Viola Amherd, Presidente e Konfederatës Zvicerane

Një konferencë paqeje e propozuar nga Zvicra për konfliktin në Ukrainë do mbahet më 15-16 qershor, njoftoi një deklaratë nga Berna të enjten. Ajo shtoi se më shumë se 160 delegacione nga e gjithë bota janë ftuar të marrin pjesë, megjithëse diplomatë rusë nuk janë në mesin e tyre.

Qeveria zvicerane zbuloi planet në shkurt për të pritur një samit të madh paqeje “deri në verë”, por nuk ofroi data asokohe. Në deklaratën e saj të fundit, Bern tha se Moska nuk ishte ftuar të bashkohej “në këtë fazë”.

Moska e ka quajtur më parë konferencën e propozuar “të pakuptimtë” dhe tha se nuk do merrte pjesë, edhe nëse ftohej. Ukraina ka treguar se Rusia do ftohej vetëm nëse binte dakord për një sërë parakushtesh të cilat Moska i ka cilësuar si “absurde”.

Sipas qeverisë zvicerane, qëllimi i samitit “Paqja në Ukrainë” është të zhvillojë një kuptim të përbashkët të një rruge drejt një “paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme”. Duke postuar në X të enjten, presidentja zvicerane Viola Amherd shkroi se “bashkëpunimi global është çelësi për të formuar një të ardhme paqësore”.

Delegacionet e ftuara në samit përfshijnë anëtarë të G7, G20, BRICS, BE, organizata ndërkombëtare dhe dy përfaqësues fetarë, sipas Bernës.

Bisedimet synojnë gjithashtu të krijojnë një udhërrëfyes për pjesëmarrjen e Rusisë në proces, thuhet në deklaratë. Moska nuk e ka përjashtuar angazhimin me Kievin, por ka sinjalizuar se nuk ka ndërmend të marrë pjesë në konferencën zvicerane.