Kreu i PD-së Basha ka denoncuar marrëveshjen PS-Rithemelim për Aministinë Penale, akuza që i ka bërë prej disa ditësh.
Në një deklaratë për mediat ai tha se amnistia falë të korruptuarit dhe jo qytetarët që kanë protestuar kundër qeverisë.
“E zvarritën sa e zvarritën amnistinë derisa një ditë të bukur thanë ejani të bëjmë amnistinë, sepse brenda kishin futur atë që në gjuhën popullore quhet “mishi i dhisë”. Amnisti me mish dhie do të thotë amnisti për të korruptuarit dhe jo për protestuesit kundër korrupsionit. Këtë bënë. Por nuk e bënin dotë pa disa vota nga ata që ulen në atë karrige me votat e opozitës. Me mundin, djersën dhe gjakun e demokratëve”, tha Basha.
Lidhur me tryezën e reformës në drejtësi ai tha se propozimet e PD-së mbështeten nga të gjithë shqiptarët pavarësisht përkatësisë politike.
“Propozimet tona për reformën në drejtësi siç e dini fare mirë, po të dalim jashtë, i përqafon çdo qytetar pavarësisht prej bindjeve politike. Për listat e hapura, për votimin elektronik dhe numërimin elektronik, për Shqipërinë një zonë që garanton barazinë e votës dhe për votën e diasporës. Ky është një rast tjetër ku duket qartë se kush e bën betejën për shqiptarët dhe kush e bën këtë betejë për demokratët dhe kush është kthyer në rimorkio të urbanit të prishur të Edi Ramës. E prishën komisionin e reformës zgjedhore se do të ndërtonin një tjetër celulë 3 plus 3. Ka më shumë se dy muaj që komisioni i reformës zgjedhore u asgjësua me dorën e atyre që i thonë vetes opozitë, por që në fakt janë rimorkio e Edi Ramës”, tha Basha.