Hamasi tha të premten se po dërgonte një delegacion në Kajro për të diskutuar një marrëveshje për një armëpushim dhe lirimin e pengjeve në Gaza, disa orë pasi drejtori i CIA-s amerikane William Burns mbërriti në kryeqytetin egjiptian, sipas burimeve egjiptiane.
Egjipti, së bashku me Katarin dhe Shtetet e Bashkuara, ka udhëhequr përpjekjet për të ndërmjetësuar një armëpushim mes Izraelit dhe Hamasit pas luftës që shpërtheu më 7 tetor 2023.
Zyrtarët e Hamasit dhe CIA-s do takohen me ndërmjetësit egjiptianë të shtunën, tha një burim egjiptian i sigurisë, megjithëse nuk ishte e qartë nëse ata do të takoheshin veçmas apo së bashku.
Hamasi tha se delegatët e tij po udhëtonin në Kajro me një “frymë pozitive” pas studimit të propozimit të fundit për një marrëveshje armëpushimi.
“Ne jemi të vendosur të sigurojmë një marrëveshje në një mënyrë që përmbush kërkesat e palestinezëve,” tha grupi militant palestinez në një deklaratë.
Një zyrtar amerikan tha se Shtetet e Bashkuara besonin se kishte pasur një përparim në bisedime, por ende prisnin të dëgjonin më shumë.