Kryeministri i Gjeorgjisë, Irakli Kobakhidze, ka vazhduar të mbrojë legjislacionin për “agjentët e huaj”, që ka nxitur protesta masive në Tbilisi, duke thënë se ky ligj është i nevojshëm për të arritur “depolarizimin”, në përputhje me rekomandimet e Bashkimit Evropian.
Kobakhidze, gjatë një bisede të zhvilluar më 3 maj me presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel, tha se ai shprehu zhgënjimin e tij që partnerët e Gjeorgjisë “po hezitojnë të angazhohen në diskutime substanciale” për legjislacionin dhe se “ne ende nuk kemi dëgjuar kundërargumente për legjislacionin e propozuar”.
Draft-ligji, i cili kërkon që organizatat e shoqërisë civile dhe mediat të raportojnë për financimet nga jashtë dhe të jenë subjekt i mbikëqyrjes qeveritare, ka nxitur protesta masive në kryeqytetin e Gjeorgjisë, Tbilisi.
Më 3 maj, tensionet ishin të larta në Tbilisi pas përleshjes mes protestuesve dhe policisë, e cila ka përdorur forcën kundër demonstruesve, përfshirë edhe plumba gome në përpjekje për të shtypur protestat.
Kobakhidze shkroi në X, që më herët njihej si Twitter, se legjislacioni i propozuar “synon vetëm të promovojë transparencën dhe llogaridhënien e organizatave të rëndësishme karshi shoqërisë gjeorgjiane”.
Ai po ashtu përsëriti pretendimet se “organizatat që financohen nga jashtë janë përfshirë në mënyrë aktive në dy përpjekjet për revolucion në Gjeorgji në mes të viteve 2020 dhe 2023”.
Në një postim të mëhershëm më 3 maj, Kobakhidze kritikoi Shtetet e Bashkuara, një prej mbështetëseve më të mëdha të Gjeorgjisë, për “deklarata të rreme” lidhur me legjislacionin.
Kobakhidze po ashtu ka akuzuar ish-ambasadoren amerikane në Gjeorgji, Kelly Degnan, që ka mbajtur këtë post nga viti 2020 deri më 2023, si dhe organizatat joqeveritare të financuara nga jashtë, për mbështetje të supozuar të dy përpjekjeve për revolucion.
Departamenti amerikan i Shtetit nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës për koment.
Ndërkaq, Michel shkroi në X se në bisedën telefonike me Kobakhidze ai ka përsëritur se BE-ja “mbështet plotësisht të gjithë gjeorgjianët të cilët e vendosin si prioritet të parë të ardhmen evropiane të shtetit”.
Gjeorgjia është shtet kandidat për anëtarësim në BE dhe po ashtu synon të anëtarësohet në aleancën ushtarake të NATO-s.
Këshilltari i lartë në DASH, Derek Chollet, i cili i ka bërë thirrje Khobakhidzes që të tërheqë projektligjin për “agjentët e huaj”, tha më 3 maj se Gjeorgjia ka arritur në pikën kur po rrezikohen aspiratat e saj euroatlantike.
“Ka ende hapësirë që të kthehet në rrugën që populli gjeorgjian dëshiron dhe meriton”, shkroi ai në X.
Një valë zemërimi ka mbërthyer mbarë Gjeorgjinë, që kur partia në pushtet, Ëndrra Gjeorgjiane, rivendosi të sillte sërish një version paksa të modifikuar të legjislacionit për “agjentë të huaj”. Një vit më parë, për shkak të protestave të mëdha, një projektligj i tillë u tërhoq nga autoritetet.
Më 1 maj, draft-ligji kaloi në lexim të dytë – nga gjithsej tre – në Parlamentin gjeorgjian. Që atëherë, dhjetëra mijëra persona kanë protestuar në Tbilisi. Autoritetet kanë arrestuar dhjetëra prej tyre dhe është raportuar për lëndime në mesin e demonstruesve.
Tensionet po vazhdojnë të jenë të larta edhe mëngjesin e 4 majit dhe rrugët kryesore të Tbilisit janë mbyllur, teksa disa protestues ende po qëndrojnë në rrugë.
Legjislacioni i prezantuar është i ngjashëm me ligjin në Rusi që përdoret për të heshtur disidencën dhe mediat e pavarura.
Projektligji pritet të votohet në lexim të tretë më 17 maj.
Presidenti gjeorgjian, Salome Zurabishvili, ka distancuar veten nga politikat e partisë në pushtet, dhe ka premtuar se do të vendosë veto pasi ligji të miratohet zyrtarisht. Megjithatë, Zurabishvili ka thënë se Ëndrra Gjeorgjiane ka vota të mjaftueshme që të zhbëjë veton e tij./ REL