Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, ka pranuar se jo çdo shtet anëtar i bllokut e sheh Rusinë si “kërcënimin më ekzistencial të Evropës”.
Ai argumentoi se mosmarrëveshjet midis anëtarëve po e pengojnë bllokun të marrë një qëndrim të njëzëshëm ndaj Moskës dhe po pengojnë ndihmën ushtarake për Ukrainën.
Duke folur në Universitetin e Oksfordit në Mbretërinë e Bashkuar të premten, Borrell tha se ai sheh “më shumë përplasje dhe më pak bashkëpunim” në çështjet botërore dhe solli shembuj të mospajtimit midis anëtarëve të BE-së kur bëhet fjalë për presidentin rus Vladimir Putin dhe sulmin rus ndaj Ukrainës.
“Sot, Putin është një kërcënim ekzistencial për të gjithë ne. Nëse Putini ka sukses në Ukrainë, ai nuk do ndalet me kaq”, tha Borrell, duke shtuar se një fitore ruse do minonte sigurinë e Evropës. Megjithatë, “jo të gjithë në Bashkimin Evropian ndajnë këtë vlerësim,” theksoi ai.
“Disa anëtarë të Këshillit Evropian thonë: “Rusia nuk është një kërcënim ekzistencial. Të paktën jo për mua. Unë e konsideroj Rusinë një mik të mirë”, tha Borrell, pa përmendur vende të veçanta.
“Në një bashkim të qeverisur nga njëzshmëria, politikat tona ndaj Rusisë kërcënohen gjithmonë nga një veto e vetme, mjafton një”.
BE-ja ka vendosur sanksione të shumta ndaj Rusisë që kur Moska e sulmoi fqinjin në shkurt 2022.
Megjithatë, kryeministrat Viktor Orban i Hungarisë dhe Robert Fico i Sllovakisë kanë kundërshtuar të dërgojnë armë në Ukrainë dhe theksuan se konflikti duhet të zgjidhet përmes bisedimeve.
Hungaria ngeci paketën e ndihmës prej 50 miliardë eurosh të BE-së për Ukrainën për disa muaj, derisa Orban hoqi veton e tij në shkurt 2024.