Kreu i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Bujar Spahiu, ka reaguar për ngjarjen në Shkodër, ku një nënë dhe tre fëmijë i dhanë fund jetës pas një akti të dyshuar dhune dhe tradhtie nga bashkëshorti.
Në një postim në rrjetin social Facebook, Spahiu shpreh keqardhje për situatën e familjes shqiptare, duke theksuar se kjo ngjarje tregon për një krizë të thellë në strukturën familjare.
Ai gjithashtu thekson rëndësinë e mbështetjes për të gjitha viktimat e dhunës, pavarësisht nëse janë gratë apo edhe familjarët e dhunuesve.
Në fund, Spahiu bën një apel moral, duke deklaruar se ata që ushtrojnë dhunë ndaj bashkëshorteve do të përballen me poshtërim në këtë jetë dhe në jetën tjetër.
Kjo shprehje shfaq një qëndrim të qartë moral dhe etik përballë aktit të dhunës në familje.
Reagimi i plotë
Ngjarja tragjike e ndodhur së fundi në Shkodër tregon se familja shqiptare është në krizë
Së pari, dua të shpreh ngushëllimet e mia dhe të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë për humbjen tragjike të jetës së nënës dhe tre fëmijëve të saj.
Kjo ngjarje është një alarm se kriza që ka përfshirë familjen shqiptare nuk po trajtohet dhe adresohet siç duhet, kjo i bën ngjarje të tilla të përsëritshme dhe të dhimbshme.
Ngjarje të tilla vërtetë nuk mund të parashikon çdoherë, por ky rast dhe të ngjashme me këtë që kemi parë disa herë, së fundi, tregon se hallkat e zinxhirit shoqëror e institucional nuk po funksionojnë siç duhet.
Ka ende ndrojtje nga viktimat e dhunës që të bëjnë denoncime.
Çedon gjithashtu përkrahja e njerëzve të rrethit familjar qoftë të viktimave të dhunës, që janë gratë, qoftë edhe me familjarët e dhunuesve, që janë bashkëshortët.
Askush që ka dijeni për raste të tilla nuk duhet të heshttë. Nuk duhet ta shohë problemin si diçka që duhet mbajtur sekret, me mendimin se është punë që u përket “atyre” jo “ne”.
Shërbimet sociale do duhet të shërbejnë si një strukturë ndërgjegjësuese për raste të tilla. Si një strukturë që nxit dhe kurajon viktimat e dhunës të bëjnë denoncimet në institucionet përkatëse. Por si të tilla ato edhe mund të bëhen shpesh shërbime që të evidentojnë rastet e neglizhencës, kur denoncimet bëhen.
Sigurisht edhe autoritetet fetare janë një element tepër i rëndësishëm për të dhënë një kontribut të çmuar në shoqëri, dhe ne e bëjmë vazhdimisht këtë.
Të tilla raste kanë nevojë emergjente për trajtim ndërveprues mes të gjitha hallkave të shoqërisë.
Familja është themeli i shoqërisë. Gruaja është elementi bazë i saj.
Kush i dhunon dhe keqtrajton bashkëshortet do të jetë i poshtëruar në këtë botë dhe në botën tjetër.
E lus Zotin që ngjarje të tilla të mos përsëriten më kurrë dhe familja shqiptare të rifitojë aftësitë e humbura të respektit mes bashkëshotëve dhe përkujdesjes së ndërsjelltë!