Gjyqtarja e posaçme, Irena Gjoka, njohur edhe me mbiemrat Maneku dhe Shpata u ka fshehur organeve të vettingut jo një, por dy vendime penalizuese që autoritetet dhe gjykatat greke kanë dhënë ndaj saj.
Vendimi i parë penalizues është administrativ dhe është ndërmarrë nga autoritetet kufitare greke të prefekturës së Janinës që e kanë dëbuar dhe shpallur non grata në zonën Shengen për 10 vite. Vendimi i dytë është i gjykatës administrative të Janinës, që rrëzoi kërkesën e Irena Gjokës për shfuqizimin e masës së dëbimit.
Sipas asaj që publikon gazeta greke Protothema, Irena Gjoka u dëbua pasi u kap më 24 dhjetor 2002, ditën e Krishtlindjeve në përpjekje për të hyrë në Greqi nga pika e kalimit kufitar të Kakavijës me vizë konsulore të falsifikuar dhe dokumentacione të rreme që e paraqisnin atë me mbiemrin Shpata dhe si minoritare greke e Shqipërisë.
Gati dy muaj më vonë, më 13 shkurt të vitit 2003, shkruan Protothema, Irena Gjoka u përpoq të hyjë sërish në Greqi, po duke përdorur mbiemrin Maneku nga pika kufitare e Kakavijës. Hyrja iu refuzua sërish nga autoritetet greke me arsyetimin se përbënte kërcënim për sigurinë publike.
Irena Gjoka padit në gjykatën administrative të Athinës më 27 tetor 2004 vendimin e autoriteteve kufitare greke që e shpalli non grata për 10 vite në të gjithë zonën Shengen. Përmes një vendimi të ndërmjetëm, gjykata e administrative e Athinës ja kalon çështjen për kompetencë territoriale gjykatës administrative të Janinës, duke qenë se vendimi ishte marrë nga autoritetet e kësaj prefekture.
Pasi e mori në shqyrtim kërkesën e Irena Manekut, edhe gjykata e Janinës la në fuqi vendimin e dëbimit të saj me 10 vite.
Irena Gjoka u emërua në GJKKO pa kaluar vettingun
Irena Gjoka u emërua gjyqtare në shkallën e parë të Gjykatës së Posaçme në vitin 2019, kur ende nuk kishte kaluar në filtrat e vettingut, as në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit dhe as në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.
Një vit më vonë, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e konfirmoi në detyrë, megjithë shqetësimet e ngritura nga operacioni ndërkombëtar i monitorimit dhe Komisioneri Publik për pasurinë e saj. Në atë kohë, Komisioneri Dariel Sina kërkoi në KPA rrëzimin e vendimit të KPK-së dhe shkarkimin e Gjokës.
Shqyrtimi në KPA mori disa muaj kohë. Dariel Sina iku nga detyra e komisionerit publik dhe ankimimin e tij në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit e mori në dorë komisionerja Irena Nino. Nino u tërhoq nga kërkesa për shkarkimin e gjyqtares Gjoka dhe në qershor të vitit 2022, Irena Gjoka u konfirmua në detyrë.
Sipas vendimit të marrë nga trupa e përbërë nga Sokol Çomo, kryesues, Natasha Mulaj relatore, me anëtarë Mimoza Tasi, Rezarta Schuetz dhe Albana Shtylla, Irena Gjoka kishte nivel të besueshëm në kriterin e pasurisë, nivel të besueshëm për figurën dhe nivel të mirë kualifikues.
Fshehja e vendimit të drejtësisë greke
Në dy vendimet e konfirmimit në detyrë të gjyqtares Irena Gjoka, dy shkallët e vettingut janë bazuar te dokumentacionet e dorëzuara nga vetë gjyqtarja, si dhe nga dosjet e depozituara nga institucionet e tjera të ngarkuara nga ligji për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve, si Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar dhe Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë.
Vendimi i Gjykatës së Janinës
Ligji i vettingut ngarkon DSIK që të verifikojë nëse mes kontakteve familjare, apo shoqërore të gjyqtares Gjoka ka persona të dënuar, të proceduar, hetuar, apo akuzuar si pjesëtarë, apo të lidhur me krimin e organizuar. ILDKPI-së ligji i kërkon që të depozitojë deklaratat vjetore të pasurisë së gjyqtares që nga koha kur është përfshirë si subjekt i deklarimit të pasurisë.
Sa i takon dënimeve brenda dhe jashtë vendit, ligji i vettingut ngarkon vetë subjektin e rivlerësimit, në këtë rast gjyqtaren Irena Gjoka, që të deklarojë në formularin e plotësuar prej saj. Por, sipas formularit të depozituar nga gjyqtarja në KPK, në pikën kur pyetet nëse ka ndonjë vendim ndaj saj nga gjykatat shqiptare apo të huaja, përgjigja është jo.
Çfarë do të ndodhte në KPK nëse Irena Gjoka do të deklaronte dënimin e gjykatës greke? Vlerësimi final sërish do të ishte në dorë të organeve të vettingut dhe interpretimit që ato mund t’i bënin këtij vendimi. Por, shembulli i ish-anëtarit të KPA, Luan Daci, që u shkarkua dhe ndoq penalisht sepse fshehu një masë disiplinore në karrierën e tij, sugjeron se edhe në rastin e Irena Gjokës, shkarkimi do të ishte i pashmangshëm.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e VoxNews