Vendosni fjalën kyçe....

Ukraina thotë se e parandaloi një komplot rus për ta vrarë Zelenskyn


Hetuesit e kundërinteligjencës ukrainase e kanë shpartalluar një komplot rus për ta vrarë presidentin, Volodymyr Zelensky, si dhe figura të tjera ushtarake dhe politike, tha të martën Shërbimi i Sigurisë Shtetërore i Ukrainës (SBU).

Dy kolonelë të Gardës Shtetërore të Ukrainës, e cila i mbron zyrtarët e lartë, u arrestuan nën dyshimin se po e zbatonin planin e përpiluar nga Shërbimi i Sigurisë Federale i Rusisë, sipas njoftimit.

Kolonelët në fjalë ishin rekrutuar para se Rusia ta fillonte pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurt 2022, sipas SBU-së.

Vaysl Maliuk, shefi i SBU-së, u citua të ketë thënë se, sipas komplotit, parashihej një sulm para se presidenti rus, Vladimir Putin, ta bënte betimin për mandatin e pestë presidencial të martën, përcjell REL.

Maliuk tha se ai personalisht e ka udhëhequr operacionin e fshehtë për ta parandaluar komplotin.

Pretendimet e Ukrainës për përpjekjet ruse për vrasjen e Zelenskyt nuk janë diçka e re.

Më 2022, Zelensky tha se kishte së paku 10 tentime për ta vrarë atë.

Ndërkohë, prokurorët në Poloni thanë muajin e kaluar se e kishin arrestuar një polak nën akuzat se ishte i gatshëm të spiunonte për inteligjencën ushtarake të Rusisë në një komplot të dyshuar për ta vrarë Zelenskyn.

SBU-ja tha se agjentët rusë të inteligjencës kërkonin anëtarë të ushtrisë ukrainase, që janë të afërt me sigurimin e presidencës, të cilët do të mundë ta merrnin peng presidentin dhe pastaj ta vrisnin më vonë.

Plani gjithëpërfshirës i komplotit ishte identifikimi i lokacionit të zyrtarëve të lartë ukrainas dhe sulmimi i tyre me predhë fillimisht, pastaj me dronë dhe raketa.