Vendosni fjalën kyçe....

Italia mobilizon ushtrinë …kundër derrave të egër


Italia ka thënë se do dërgojë ushtarë në gjithë vendin për të gjuajtur derrat e egër në një ofensivë që synon të mbrojë industrinë e saj prej 8.2 miliardë eurosh të proshutës dhe sallameve nga murtaja e derrave.

Vendosja njëvjeçare e 177 ushtarëve është pjesë e fushatës së kryeministres Giorgia Meloni për të pakësuar popullsinë e derrave të egër të Italisë deri në 80 për qind në pesë vjet, në një përpjekje për të parandaluar përhapjen e murtajës afrikane të derrave.

Rreth 1 milion deri në 1,5 milion derra të egër bredhin lirshëm nëpër Itali, ku ata janë parë prej kohësh si një shqetësim publik, duke ngrënë mbeturinat që grumbullohen në periferitë e qyteteve të mëdha si Roma dhe të tërbohen nëpër fushat e fermerëve. Ata vlerësohet të kenë shkaktuar rreth 120 milionë euro dëm në zonat rurale nga viti 2015 deri në vitin 2021 dhe gjithashtu janë fajësuar për shkaktimin e aksidenteve të shumta automobilistike.

Por kafshët janë bërë superpërhapëse të murtajës afrikane të derrave, një virus shumë ngjitës që u zbulua për herë të parë në kontinentin italian në fillim të vitit 2022. Sëmundja, që ka një shkallë vdekshmërie deri në 100 për qind te derrat, ka alarmuar zyrtarët dhe drejtuesit e ushqimit në zona të tilla si Parma, qytet verior që është qendra e industrisë së njohur italiane të proshutës.

Shtatorin e kaluar, Italia vrau rreth 34,000 derra shtëpiake në rajonin verior të Lombardisë në një përpjekje për të shuar një nga shpërthimet më të këqija të murtajës së derrave që nga vitet 1960.

Dislokimi ushtarak u miratua nga kabineti të hënën vonë si pjesë e një pakete masash për të mbrojtur bujqësinë italiane dhe trashëgiminë e saj të kuzhinës. Dekreti i gjerë përfshin gjithashtu hapa për të trajtuar një pushtim të gaforreve blu jovendase që kërcënojnë molusqet italiane.

Murtaja e derrave “kërcënon zinxhirët e prodhimit, jo vetëm fermat e derrave”, tha ministri i Bujqësisë Francesco Lollobrigida.

“Ne po ndërhyjmë me vendosmëri për t’iu kundërvënë një problemi shëndetësor që mund të bëhet problem ekonomik dhe social.”

Davide Calderone, drejtor i “Assica”, një shoqatë e prodhuesve të mishit dhe produkteve të kuruara, përshëndeti përfshirjen e ushtrisë, duke thënë se derrat e egër ishin “shumuar së tepërmi”, duke rrezikuar industrinë.

“Këtu ka një problem të madh që vë në rrezik një zinxhir të madh furnizimi dhe është e drejtë të përdoren të gjitha mjetet për ta frenuar dhe zhdukur atë,” tha Calderone të martën.

Por “Legambiente”, një nga organizatat më të mëdha mjedisore të Italisë, e kritikoi masën. Stefano Raimondi, drejtori i grupit për biolarmishmërinë, tha se përfshirja e forcave të armatosura është një “qasje populiste” e gabuar ndaj një problemi të ndërlikuar.

“Derrat e egër janë kafshë që përshtaten, kështu që kur nuk ka politika të mira për menaxhimin e mbeturinave dhe plehrave në rrugë, është e lehtë për ta të lulëzojnë në qytete,” tha Raimondo.

Ai paralajmëroi gjithashtu se pamja e ushtarëve të armatosur që enden duke gjuajtur derra të egër do shqetësonte italianët dhe turistët.

“Ushtria nuk është zgjidhja,” tha ai.

Derrat e egër thuajse u zhdukën në Itali nga fundi i shekullit të 19-të, por u rifutën në vend, të importuar nga Evropa Lindore në vitet 1950 për të plotësuar kërkesën nga gjuetarët. Por popullsia e derrit të egër është rritur pasi janë vendosur kufizime më të ashpra për gjuetinë.

Ndonëse murtaja e derrave nuk përbën kërcënim të drejtpërdrejtë për shëndetin e njeriut, ajo është shumë e transmetueshme midis derrave dhe mund të mbijetojë për një kohë të gjatë, jo vetëm te kafshët ose mishi i infektuar, por edhe në rroba, çizme, goma makinash dhe vende të tjera. Tani për tani nuk ka asnjë vaksinë për të kontrolluar përhapjen e saj.

Sipas statistikave zyrtare, industria italiane e derrit, duke përfshirë proshutën, produktet e sallamit dhe prodhimet e tjera, sjell 8.2 miliardë euro në vit shitje. Vendi është shtëpia e rreth 8.7 milionë derrave shtëpiake. Gati 50,000 njerëz janë të punësuar në industri, në role që shkojnë nga mbarështimi dhe rritja e derrave deri te përpunimi i mishit.

Por shumë vende kanë kufizuar importet italiane të derrit gjatë dy viteve të fundit për shkak të shqetësimeve për përhapjen e virusit. Kanadaja ishte e fundit që vendosi një ndalim të proshutës nga Parma muajin e kaluar.

Italia nuk është vendi i parë që përfshin forcat e armatosura për të luftuar kërcënimin e murtajës së derrave të egër. Në vitin 2019, Franca dërgoi ushtarë në kufirin e saj me Belgjikën për të parandaluar hyrjen e derrave të egër të infektuar në territorin e saj.