Një projekt për ndërtimin e një parku eolik është dorëzuar tashmë në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.
kjo e fundit publikoi këtë aplikim duke dhënë detaje mbi subjektin dhe kapacitetin si dhe faktin që ky është një projekt i pavarur që nuk përfiton nga masat mbështetëse.
“Në bazë të Nenit 15 të Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr. 822, datë 7.10.2015 “Për miratimin e rregullave dhe procedurave të ndërtimit të kapaciteteve të reja prodhuese të energjisë elektrike, që nuk janë objekt koncesioni” i ndryshuar, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë njofton si më poshtë:
Shoqëria “YEL” SH.P.K. ka shprehur interesin dhe ka paraqitur pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, aplikimin për ndërtimin e një impianti eolik me kapacitet të instaluar 28.5 MW, për prodhimin e energjisë elektrike nga burime të rinovueshme, i cili nuk është objekt koncesioni dhe nuk përfiton nga masat mbështetëse, me vendndodhje në Bashkinë Vau i Dejës, Qarku Shkodër.
Afati për dërgimin e komenteve në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë është 15 ditë” thuhet në njoftimin e MIE.
Ky nuk është aplikimi i vetëm sa i takon projekteve në energjinë eolike bërë gjatë viteve të fundit por numri i tyre është dukshëm më i ulët sesa ai për energjinë fotovolatike.
Nga ERE deri më tani janë vetëm dy licenca sa i takon prodhimit të energjisë nga era teksa më herët qeveria shpalli fituesit e ankandeve për impiantet eolikë. Konkretisht në korrik të vitit të shkuar u shpallën fituesit për një kapacitet 222 MW.
Në atë kohë bashkimi i Total EREN sa dhe KMV sh.p.k dhanë ofertën më të ulët në ankandin e qeverisë sa i takon kapaciteteve për energjinë eolike. Çmimi i ofruar ishte 44.88 euro/MWh për një kapacitet 75MW teksa dy kompani të tjera të shpallura edhe ato fituese ofruan çmime shumë afër tavanit të vendosur nga qeveria.
Konkretisht oferta e dytë më e ulët erdhi nga GurisINSAAT, Morgan Energy dhe BRD Energy sh.p.k për një kapacitet 75 MW dhe një çmim 74 euro/MWh ndërkohë qe oferta e tretë erdhi nga Verbung AG për një kapacitet 72.6 MW dhe një çmim 74.95 euro/MWh./N.Maho
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor