Agjencitë evropiane të inteligjencës kanë paralajmëruar qeveritë e tyre se Rusia po planifikon akte të dhunshme sabotimi në gjithë kontinentin, ndërsa duket e përfshirë në një kurs përplasjeje të përhershëm me perëndimin.
Rusia tashmë ka filluar të përgatisë në mënyrë më aktive bombardimet e fshehta, sulmet me zjarrvënie dhe dëmtimin e infrastrukturës në territorin evropiane, drejtpërdrejt dhe nëpërmjet përfaqësuesve, me pak shqetësim të dukshëm për shkaktimin e viktimave civile, besojnë zyrtarët e inteligjencës.
Ndërsa agjentët e Kremlinit kanë një histori të gjatë të operacioneve të tilla dhe kanë nisur sulme sporadike në Evropë vitet e fundit, provat po shtohen për një përpjekje më agresive dhe të bashkërenduar, sipas vlerësimeve nga tre vende të ndryshme evropiane të ndara me Financial Times.
Zyrtarët e inteligjencës po bëhen gjithnjë e më të zëshëm për kërcënimin në një përpjekje për të nxitur vigjilencën.
“Ne vlerësojmë që rreziku i akteve të sabotimit të kontrolluara nga shteti të rritet ndjeshëm”, tha Thomas Haldenëang, kreu i inteligjencës së brendshme gjermane. Rusia tani duket mjaft e qetë për të kryer operacione në tokën evropiane “me një mundësi të lartë dëmtimi”, tha ai në një konferencë të sigurisë muajin e kaluar të organizuar nga agjencia e tij, Zyra Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës.
Haldenwang foli vetëm disa ditë pasi dy shtetas gjermano-rusë u arrestuan në Bayreuth, Bavari, për komplot të dyshuar për të sulmuar vendet ushtarake dhe logjistike në Gjermani në emër të Rusisë.
Dy burra u akuzuan në Mbretërinë e Bashkuar në fund të prillit për ndezjen e zjarrit në një magazinë që përmbante dërgesa ndihme për Ukrainën. Prokurorët anglezë i akuzojnë ata se punojnë për qeverinë ruse.
Në Suedi, shërbimet e sigurisë po hetojnë ndërkohë një sërë daljesh nga shinat të trenave kohët e fundit, për të cilat ata dyshojnë se mund të jenë akte sabotimi të mbështetura nga shteti.
Rusia është përpjekur të shkatërrojë sistemet e sinjalizimit në hekurudhat çeke, tha ministri i Transportit i vendit për Financial Times muajin e kaluar.
Në Estoni, një sulm ndaj makinës së ministrit të Brendshëm në shkurt dhe makinave të gazetarëve u krye nga operativë të inteligjencës ruse, ka thënë Shërbimi i Sigurisë së Brendshme të vendit. Ministria e Mbrojtjes e Francës paralajmëroi gjithashtu këtë vit për sulme të mundshme sabotuese nga Rusia në objektet ushtarake.
“Përfundimi i qartë është se ka pasur një rritje të vërtetë të veprimtarisë ruse,” tha Keir Giles, këshilltar i lartë në Chatham House, një grupi ekspertësh.
“Nuk mund të thuhet nëse ky është një pasqyrim i faktit që rusët po hedhin më shumë burime në të; nëse po tregohen më të ngathët dhe po kapen; ose nëse kundërzbulimi perëndimor thjesht është bërë më i mirë në zbulimin dhe ndalimin e tij,” shtoi ai.
“Sido që të jetë, po ndodhin shumë gjëra tashmë.”
Një zyrtar i lartë i një qeverie evropiane tha se informacioni po shpërndahej përmes shërbimeve të sigurimit të NATO-s për “ligësitë e qarta dhe bindëse ruse”, të cilat ishin të bashkërenduara.
Ka ardhur koha për të “rritur ndërgjegjësimin dhe fokusin” për kërcënimin e dhunës ruse në tokën evropiane, shtoi ai.
NATO lëshoi një deklaratë të enjten duke deklaruar shqetësimin e saj të thellë për rritjen e “veprimtarive malinje në territorin aleat” nga Rusia, duke përmendur atë që tha se ishte një “fushatë e shtuar në gjithë zonën euroatlantike”.
Frika në rritje për oreksin e Rusisë për të dëmtuar kundërshtarët e saj pason një valë akuzash kundër Rusisë për fushatat e dezinformimit dhe hakerimit.
Të premten, Gjermania paralajmëroi pasoja për Moskën, në një deklaratë të mbështetur nga BE dhe NATO mbi një sulm hakerimi të vitit 2023 ndaj partisë socialdemokrate të kancelarit Olaf Scholz.
Një skandal që ekspozon përpjekjet ruse për të kooptuar politikanët evropianë të ekstremit të djathtë përpara zgjedhjeve të ardhshme evropiane është ende duke u shpalosur.
Një zyrtar i inteligjencës tha se përpjekjet për sabotim të Moskës nuk duhet të shihen si një dallim nga operacionet e tjera, duke thënë se rritja e veprimtarisë pasqyronte synimin e Rusisë për të ushtruar presion maksimal “në gjithë mozaikun”.
Putin tashmë po ndihet “i fuqishëm ” dhe do kërkojë të shtyjë vijën sa më fort që mundet në Evropë, në fronte të shumta, tha ai, qoftë përmes dezinformimit, sabotimit apo hakerimit.
Rritja e agresionit nga inteligjenca ruse pasqyron gjithashtu dëshirën që drejtuesit e spiunazhit të vendit të rikthehen pas pengesës së tyre më serioze që nga rënia e Bashkimit Sovjetik.
Në javët pas pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës nga Rusia, më shumë se 600 oficerë të inteligjencës ruse që vepronin në Evropë me mbulesë diplomatike u dëbuan, duke i shkaktuar dëme serioze rrjetit të spiunazhit të Kremlinit në gjithë kontinentin.
Në një raport të fundit, analistët në Institutin Mbretëror të Shërbimeve të Bashkuara të Mbretërisë së Bashkuar theksuan përpjekjet që Rusia kishte bërë për të rindërtuar praninë e saj në Evropë, shpesh duke përdorur përfaqësues të saj. Ato përfshijnë anëtarë të diasporës ruse si dhe grupe të krimit të organizuar me të cilët Kremlini ka lidhje të gjata.
Një ndryshim kyç strategjik ka ndodhur gjithashtu, me të ashtuquajturat “Komitete të Ndikimit të Veçantë” që bashkërendojnë operacionet e inteligjencës vend pas vendi për Kremlinin, duke bashkuar ato që më parë ishin përpjekje të pjesshme nga shërbimet e sigurisë së vendit dhe lojtarë të tjerë të Kremlinit.
Me rritjen e operacioneve të Rusisë, shërbimet e sigurisë kanë qenë në gatishmëri të lartë ndaj kërcënimeve dhe po kërkojnë të identifikojnë objektivat që mund t’u kenë shpëtuar.
Janë ngritur pyetje, për shembull, mbi një shpërthim të pashpjeguar deri më tani në një fabrikë municionesh “BAE Systems” në Uells që prodhon predha të përdorura nga Ukraina. Në tetor 2014 u shkatërrua një depo armësh çeke ku ruheshin armët për Kievin; Më vonë u zbulua se kishin qenë agjentët e inteligjencës ushtarake ruse ata që kishin vënë eksplozivët.
Një zjarr i madh shpërtheu të premten në një fabrikë në Berlin në pronësi të kompanisë së armëve “Diehl”, e cila gjithashtu furnizon Ukrainën. Më shumë se 160 zjarrfikës specialistë u thirrën për të shuar flakët, me një pjesë të madhe të banorëve në një zonë të gjerë në perëndim të Berlinit të cilëve iu tha të mbanin dritaret të mbyllura për shkak të tymit të mundshëm toksik.
“Si përherë, me Rusinë është e mençur të mos kërkojmë një shpjegim se pse po bëjnë diçka. Gjithmonë ndodh një kombinim i gjërave,” tha Giles.
“Këto sulme të lehta që kemi parë deri tani janë sigurisht për të krijuar përçarje, por ato mund të përdoren gjithashtu për dezinformim. Dhe pastaj është ajo që Rusia mëson nga këto sulme, nëse dëshiron ta paralizojë vërtetë Evropën. Këto të deritanishmet janë thjesht stërvitje, nxehje.”
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Financial Times
Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani