Standardi i vendosur nga vettingu, kolegët e Irena Gjokës janë shkarkuar për shumë më pak se kaq


Nga Endrit Habilaj

Prokuroria e Përgjithshme është vënë në lëvizje duke marrë dosjen e vettingut të gjyqtares së posaçme Irena Gjoka, pas artikujve të publikuar në media, ku ajo akuzohet se u ka fshehur organeve të vettingut një dënim nga gjykatat grek të 20 viteve më parë.

Sipas dokumentacionit të siguruar edhe nga Voxnews.al, Irena Gjoka është dëbuar nga autoritetet kufitare greke për falsifikim dokumentesh dhe asaj i është ndaluar hyrja në zonën Shengen për 10 vite. Vendimi i autoriteteve kufitare të Janinës është përforcuar nga gjykata e po kësaj prefekture në Greqi, që rrëzoi në 2004-ën ankimimin e Irena Gjokës për anulimin e dëbimit.

Irena Gjoka akuzohet se e ka fshehur këtë fakt nga formulari që ka dorëzuar në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit dhe në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku kaloi vettingun përkatësisht në vitet 2020 dhe 2022.

Nëse ky dënim do të ishte deklaruar, atëherë vendimmarrja e trupës së vettingut me shumë mundësi do të ishte krejt tjetër, të paktën sipas vetë standardit të vendosur s inga shkalla e parë e rivlerësimit, ashtu edhe nga shkalla e dytë e këtij procesi.

Arsyeja është e thjesht. Janë një sërë ish-gjyqtarësh dhe ish-prokurorësh që janë shkarkuar nga detyra që prej nisjes së vettingut për fshehje dënimesh, masash disiplinore, apo edhe për mosjustifikim të 20 metër katrorë pasuri.

I pari që u bë shembull për mosdeklarim të një dënimi ishte gjyqtari i lartë, Admir Thanza. Thanza ishte dënuar në Itali për vjedhje me dhunë. Ngjarja ka ndodhur në vitin 1999, kur Thanza madje ishte dhe gjyqtar në Gjykatën e Shkodrës.

 

VINI RE: Ky shkrim është pronësi intelektuale e VoxNews.al