Vendosni fjalën kyçe....

Citoi statistikat e qeverisë, politikania e ekstremit të djathtë në Gjermani dënohet për nxitje të urrejtjes


Një gjykatë në Saksoninë e Ulët ka dënuar politikanen e Alternativës për Gjermaninë (AfD) Marie-Therese Kaiser për nxitje të urrejtjes duke ndarë të dhënat e qeverisë që tregojnë se afganët kanë në mënyrë disproporcionale më shumë gjasa të kryejnë përdhunime në grup.

Kaiser, e cila drejton degën e partisë së krahut të djathtë në Rotenburg, bëri një postim në Facebook në vitin 2021 duke kritikuar kryebashkiakun e Hamburgut për ofrimin e azilit për 200 afganë që kishin punuar me trupat gjermane në Afganistan.

Kaiser i përshkroi afganët si “masa të huaja kulturore” dhe e  lidhi me një shkrim që përmban statistika të qeverisë që tregon se afganët në Gjermani kanë 70 herë më shumë gjasa të kryejnë përdhunime në grup sesa gjermanët vendas.

Një gjykatë rajonale në qytetin e Verden vendosi të hënën se postimi shkelte “dinjitetin njerëzor” të punëtorëve afganë dhe përbënte “një “nxitje urrejtjeje” kundër tyre. Vendimi la në fuqi një vendim të mëparshëm nga një gjykatë në Rotenberg vitin e kaluar.

Kaiser-it i janë vendosur 100 gjoba ditore prej 60 eurosh, në vlerë prej 6,000 euros dhe do ketë precedentë penalë.

“Emërtimi i numrave, datave dhe fakteve duhet të shpallet vepër penale, vetëm sepse institucioni nuk dëshiron të përballet me realitetin”, tha Kaiser përpara gjyqit.

“Nuk kam për të heshtur.”

Avokatët e Kaiser përmendën të drejtën e saj për fjalën e lirë, por ky argument u hodh poshtë nga gjyqtari Heiko Halbfas, i cili deklaroi se “kushdo që sulmon dinjitetin njerëzor nuk mund të justifikohet me lirinë e shprehjes”.

Vendimi tërhoqi vëmendjen ndërkombëtare, me kreun e Tesla-s dhe pronarin e X, Elon Musk, që shprehu çudinë se dikush mund të ndiqet penalisht “për përsëritjen e statistikave të sakta të qeverisë”.

Në një postim në X të martën, Kaiser e përshkroi vendimin si një “shkelje të drejtësisë”.

“Emigrimi i pakontrolluar është i rrezikshëm”, tha ajo, duke shtuar: “Duhet të flasim hapur për rreziqet”.

Gjermania është shtëpia e rreth 400,000 shtetasve afganë, nga një popullsi e lindur jashtë vendit prej rreth 14 milionë banorësh. Fluksi i azilkërkuesve që pasoi vendimin e ish-kancelares Angela Merkel për të hapur kufijtë e vendit në kulmin e krizës së refugjatëve të vitit 2015 shkaktoi një rritje drastike të krimeve të dhunshme, shumica e të cilave u kryen nga emigrantët.

Sipas statistikave të përpiluara nga Zyra Federale e Krimeve të Gjermanisë, nivelet e krimit të dhunshëm arritën një rekord të lartë vitin e kaluar, me të huajt përgjegjës për 41.2% të rasteve që përfshijnë lëndime të rënda trupore, pavarësisht se përbëjnë më pak se 15% të popullsisë.

Në përgjithësi, të huajt kishin katër herë më shumë gjasa të kryenin të gjitha llojet e krimeve sesa gjermanët vendas. Mes rritjes së krimit, AfD është rritur në popullaritet dhe tashmë është partia e dytë më e madhe politike në vend.

Megjithatë, partitë kryesore të Gjermanisë kanë përjashtuar në mënyrë të përsëritur hyrjen në koalicion me AfD dhe një grup mbikëqyrës i financuar nga qeveria ka bërë thirrje që partia të ndalohet për pozicionet e saj “raciste dhe nacionaliste”.