Vendosni fjalën kyçe....

Ilya Gambashidze, personi që qeveria amerikane akuzon për fushatën e dezinformimit të Kremlinit


Sipas qeverisë amerikane, këshilltari politik rus Ilya Gambashidze është përgjegjës për një fushatë dezinformimi në shkallë të gjerë, që synon dëmtimin e besimit tek proceset demokratike dhe institucionet në Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera.

Qeveria amerikane thotë se në bashkëpunim me zyrtarët e Kremlinit, agjencia e tij e marketingut krijon faqe të rreme interneti, madje ndonjëherë edhe dublon faqet e vërteta të lajmeve, për të mashtruar lexuesit. Objektivi duket se është shpesh ulja e mbështetjes së Perëndimit për Ukrainën.

Në mars 2024, Departamenti amerikan i Thesarit, duke ndjekur shembullin e Bashkimit Evropian, vendosi sanksione ndaj zotit Gambashidze, partnerit të tij në biznes dhe kompanive të tyre.

Kjo rriti vëmendjen ndaj këshilltarit pak të njohur deri atëherë, i cili pati punuar më përpara për ligjvënësit rusë dhe politikanët rajonalë. Megjithatë, pjesa më e madhe e biografisë së tij mbetet e panjohur.

Nëpërmjet një hetimi të ri, të bazuar tek studimi i të dhënave ruse, të dhënave të biznesit në Rusi dhe Evropë, si dhe të postimeve në mediat sociale, Zëri i Amerikës mund të nxjerrë tashmë në dritë më shumë informacion rreth rrugëtimit të zotit Gambashidze nga një këshilltar i thjeshtë, në personin që akuzohet si ideator i dezinformimit, si dhe për lidhjet e tij në Shtetet e Bashkuara.

Nga viti 2013 deri në vitin 2020, kompanitë në pronësi të plotë, apo të pjesshme të zotit Gambashidze, apo familjarëve të tij të afërt, morën nga qeveria ruse kontrata prej 2.7 milionë dollarësh. Dhe këto nuk ishin kompanitë e vetme në pronësi të tij.

Megjithëse puna e zotit Gambashidze duket se synon të destabilizojë situatën sociale dhe politike në Amerikë, dy djemtë e tij jetojnë në Shtetet e Bashkuara.

Zëri i Amerikës e mësoi këtë pas hulumtimeve të kujdesshme të të dhënave publike dhe mediave sociale. Ish-bashkëshortja e zotit Gambashidze, e cila ka jetuar në Shtetet e Bashkuara për gati 15 vite, e konfirmoi më pas këtë informacion. Zëri i Amerikës vendosi të mos publikojë emrat e djemve të tij, me qëllim ruajtjen e privatësisë së tyre.

Ish-bashkëshortja e zotit Gambashidze dhe bashkëshorti i saj i tanishëm thonë se pasojat e sanksioneve ekonomike ndaj “ekspertit politik” janë ndjerë më tepër tek fëmijët e tij, pasi është bërë e pamundur marrja e pagesave nga zoti Gambashidze për përkujdesin ndaj fëmijëve.

“Për mendimin tonë, të vetmen gjë që bëjnë këto sanksione është që dëmtojnë jetesën e fëmijëve të tij, që është modeste”, thotë njerku i djemve. “Ata thjesht shkojnë në shkolla publike, në kolegje komunitare”.

Investigimi i Zërit të Amerikës nxjerr në pah lidhjet mes interesave të biznesit rus dhe politikës së jashtme të Kremlinit, si dhe demonstron lidhjet mes personave që punojnë për të diskretituar institucionet perëndimore dhe vetë Perëndimin.

Zëri i Amerikës arriti të kontaktojë me telefon me zotin Gambashidze në Moskë, por ai nuk pranoi të komentojë dhe kërkoi që pyetjet t’i dërgohen nëpërmjet aplikacionit Telegram. Më pas ai nuk iu përgjigj mesazheve.

Çfarë dihet për zotin Gambashidze?

Megjithëse është e vështirë të rindërtohet biografia e plotë e zotit Gambashidze, nga informacioni publik mund të ravijëzohet një portret i përgjithshëm i tij.

Zoti Gambashidze ka lindur në Kiev në vitin 1977, sipas informacioneve nga Zyra e Kontrollit të Pasurive të Huaja (OFAC), e cila është përgjegjëse për zbatimin e sanksioneve amerikane, si dhe sipas dokumenteve të biznesit me të cilat është njohur Zëri i Amerikës.

Në vitin 2008, ai mbrojti doktoraturën në sociologji në Universitetin Shtetëror Rus për Shkencat Sociale. Titulli i hulumtimit të tij ishte: “Veçoritë e zhvillimit të vetëqeverisjes lokale në Federatën Ruse në kontekstin e transformimit të sistemit partiak”.

Një vit më vonë, zoti Gambashidze punoi si ndihmës i prefektit të Qarkut Verior të Moskës, kur u bë viktimë e një tentative të çuditshme rrëmbimi. Ish-gruaja dhe fëmijët e tij duket se kanë jetuar në Shtetet e Bashkuara që nga ajo kohë.

Zoti Gambashidze vazhdoi të jetojë në Rusi, ku punoi si këshilltar i Pyotr Tolstoit, nënkryetarit të dhomës së ulët të parlamentit rus (Duma) dhe stërnipit të shkrimtarit të famshëm Leo Tolstoy.

Sipas njoftimeve të mediave, zoti Gambashidze ka punuar gjithashtu për Batu Khasikovin, guvernatorin në detyrë të Kalmykias-it, një rajon me pakicë budiste në Kaukazin e Veriut të Rusisë.

Në vitin 2023, në prag të zgjedhjeve parlamentare ruse, zoti Gambashidze punonte për Partinë Liberale Demokratike të Rusisë (LDPR), një parti politike nacionaliste që është pjesë e “opozitës” ruse që mbështet presidentin Putin.

Po atë vit, Shoqata Ruse e Këshilltarëve Politikë u dha ekipeve të tij çmime për tre projekte elektorale. Dy prej projekteve ishin të pazakonta: një monument për themeluesin e LDPR-së, Vladimir Zhirinovsky, i cili vdiq në vitin 2022, si dhe një tubim për 1 Majin, i simuluar në lojën kompjuterike të suksesshme ‘Minecraft’ dhe në ‘Neural Network Zhirinovsky’.

Projekti i fundit është një imazh dixhital, ndoshta i krijuar nëpërmjet inteligjencës artificiale, që mund t’u përgjigjet pyetjeve në stilin dhe zërin agresiv të Zhirinovskit.

Në mars 2024, para zgjedhjeve presidenciale ruse, u shfaq në internet një video muzikore humoristike që u kërkonte banorëve të qytetit qendror rus të Tambovit të dilnin për të votuar.

Videoja ishte prodhuar nga ekipi i zotit Gambashidze, shkruajti më vonë një nga bashkëpunëtorët e tij.

Në video, të rinjtë dhe të rejat me veshje popullore ruse kërcejnë përkrah njerëzve me kostume ariu dhe ujku, duke u rënë fizarmonikave dhe balalaikave dhe duke kënduar në anglisht (me një theks pothuajse të padeshifrueshëm rus) për dëshirën e tyre për të votuar.

“Zakon i popullit në vendin tonë – të gjithë shkojmë në qendrat e votimit”, këndojnë ata në video. “Nuk ka autokraci, ne jetojmë në demokraci!”

Ekspertët e pavarur dhe qeveritë perëndimore nuk pajtohen absolutisht me këtë vlerësim.

Dezinformimi i Kremlinit

Që nga viti 2022, kompanitë e mediave sociale, studiuesit, qeveritë perëndimore dhe gazetarët i kanë lidhur gjithnjë e më shumë dy kompanitë e zotit Gambashidze me një projekt për përhapjen e dezinformatave në Ukrainë, Evropë, Amerikën Latine dhe Shtetet e Bashkuara.

Në nëntor 2022, platforma e medias sociale Meta njoftoi se kishte hequr mbi 2,300 llogari dhe faqe nga rrjetet Facebook dhe Instagram për “sjellje jo-autentike të koordinuar”.

Llogaritë shpërndanin materiale nga faqe interneti që paraqiteshin si media reale dhe faqe qeveritare. Artikujt “kritikonin Ukrainën, lavdëronin Rusinë dhe argumentonin se sanksionet perëndimore ndaj Rusisë do të jepnin rezultatin e kundërt”, sipas kompanisë Meta.

Në objektiv të dezinformimit ishin Evropa dhe Ukraina. Zyrtarët evropianë më vonë e quajtën fushatën “Doppelganger” (“Sozia”).

Kompania Meta e lidhi këtë fushatë me dy firma ruse: kompaninë e marketingut Social Design Agency (SDA) dhe firmën teknologjike Structura, të cilat së bashku shpenzuan rreth 105,000 dollarë për reklama në Facebook dhe Instagram.

Sipas Departamentit të Thesarit, SDA-ja u themelua nga zoti Gambashidze dhe është e regjistruar zyrtarisht në emrin e një gruaje që duket se ka lidhje me punën e tij në sferën politike në Tambov.

Zoti Gambashidze ishte gjithashtu bashkëthemelues i kompanisë Structura, por sot ajo i përket Nikolai Tupikinit, i cili është edhe më pak i njohur. Ekziston vetëm një foto “zyrtare” e tij nga një kanal rus në Telegram kushtuar kompanive të reja. Informacione të tjera të disponueshme janë shumë të pakta.

Zoti Tupikin nuk pranoi të komentojë kur Zëri i Amerikës e kontaktoi me telefon. Ai nuk iu përgjigj një kërkese të mëvonshme për koment nëpërmjet postës elektronike./ VOA