Vendosni fjalën kyçe....

Ndërron pushteti në Maqedoninë e Veriut, VMRO-ja arrin fitore të thellë


Kandidatja e VMRO-DPMNE-së në zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut Gordana Silanovska-Davkova, shpalli fitoren kundrejt kundërshtarit Stevo Pendarovski, i cili e pranoi humbjen.

Sipas rezultateve paraprake nga KQZ-ja, Davkova ka marrë mbi 65 për qind të votave, ndërkaq Pendarovski rreth 30 për qind.

“Qytetarët bënë zgjedhjen e duhur. Duhet të përpiqemi t’i japim fund vullkanizimit, të ndihmojmë njëri-tjetrin. Do të bëj gjithçka për të mbrojtur interesat shtetërore dhe kombëtare”, tha Davkova në deklaratën e parë  pas rezultatit.

Pendarovski nga ana e tij e pranoi humbjen teksa tha se koncepti i tij për një Maqedoni të Veriut shumëetnike e të integruar në strukturat evropiane nuk u mbështet si duhet  nga qytetarët.

Edhe në zgjedhjet parlamentare që u mbajtën në të njëjtën ditë, VMRO-DPMNE duket më pranë fitores.

Pas numërimit të deritanishëm të votave VMRO-DPMNE-ja del forcë e parë me 42.75% të votave e pritet të ketë 59 deputetë në parlamentinme120 ligjvënës.

Në vend të dytë është koalicioni Fronti Evropian i udhëhequr nga BDI-ja e Ali Ahmetit me 14.42% që pritet të ketë 19 deputetë. Në vend të tretë është renditur LSDM-ja me 14.67% të votave e që pritet të ketë 18 deputetë ndërsa koalicioni tjetër shqiptar VLEN ka marrë 11.38 të votave e pritet të ketë 13 deputetë.

Kreu i VMRO-DPMNE Hristijan Mickoski

Kreu i VMRO-së Hristijan Mickoski shpalli fitoren edhe pse numërimi nuk ka përfunduar ende. Në fjalimin para qytetarëve ai la të kuotohej se nuk kishte koalicion për të qeverisur me BDI-në, pjesë e koalicionit Fronti Evropian.

“Nuk do t’i përsëris gabimet që i ka bërë kjo qeveri e cila injoronte partitë tjera politike. Ne kemi për qëllim që të bisedojmë me të gjitha partitë politike opozitare. Por kjo nuk nënkupton se të gjitha do të jenë pjesë e qeverisë së ardhshme”, tha Mickoski.

Ali Ahmeti, kreu i BDI-së, partisë më të madhe në koalicionin Fronti Evropian, tha pas zgjedhjeve se fronti ishte forca e dytë politike në vend.

“Zgjedhjet kaluan me standarde të pranueshme, është një provim i shtetit i institucioneve për organizimin e zgjedhjeve të lira demokratike, standard të cilin duhet ta forcojmë akoma, sepse ne tanimë jemi në prag të anëtarësimit në BE. Do doja të falënderoj të gjithë votuesit e Frontit, të gjithë aktivistët dhe shefat e shtabeve të cilët kanë bërë punën më të madhe e të shkëlqyeshme që ne të dalim fitimtar e krenar. Të gjithë këta aktivist na kanë bërë krenar sepse jemi forca e dytë politike. Fronti Evropian është në një dallim me oponentin, ne oponent kemi pas VMRO-në sepse VMRO-ja ka ndihmu koalicionin VLEN, por dallimi është mbi 30 mijë vota. Kjo do të thotë që shqiptarët, turqit, boshnjakët, romët të cilët kanë vepruar në kuadër të frontit janë për anëtarësim të pakompromis të vendit në BE”, tha Ahmeti.

Kreu i koalicionit VLEN, Bilall Kasami, tha se fitorja ishte siguruar në të gjitha komunat me shumicë shqiptare ndërsa pohoi se nesër nisin biseedimet me VMRO-DPMNE-në për qeverinë e re.

“Koalicioni VLEN është fitues absolut te shqiptarët. Kjo është si rezultat i ardhjes së mërgimtarëve tanë. Prandaj u them 100 mijë herë “faleminderit, faleminderit, faleminderit të gjithë atyre që erdhën dhe bënë edhe një herë ndryshimin në atdhe.” – tha Kasami.

Kreu i LSDM-së Dimitar Kovaçevski tha pas votimeve se partisë së drejtuar prej tij i është dhënë një goditje e rëndë nga qytetarët ndërsa paralajmëroi një analizë të shpejtë dhe një kongres pasardhës.