Vendosni fjalën kyçe....

Trump dëshiron të dërgojë “skuadra” për eliminimin e krerëve të karteleve në Meksikë – media


Kandidati republikan presidencial, Donald Trump do dërgonte forcat speciale amerikane për të luftuar kartelet e drogës në Meksikën fqinje, nëse ai kthehet në Shtëpinë e Bardhë, raportoi të martën revista “Rolling Stone”, duke cituar burime.

Sipas njerëzve që raportohet se kanë diskutuar këtë çështje me Trump, ish-presidenti ka miratuar privatisht idenë e dërgimit të fshehtë – me ose pa pëlqimin e qeverisë meksikane – të njësive speciale që do ngarkoheshin me misione të tilla si vrasja e krerëve të lartë të karteleve të fuqishme të drogës në Meksikë.

Revista pretendon se në bisedat me aleatët e ngushtë, Trump ka këmbëngulur se ushtria amerikane ka “vrasës më të ashpër se ata”, duke argumentuar se eliminimi i krerëve të karteleve do ndikonte shumë në frenimin e operacioneve të tyre dhe ngjalljes së frikës në zemrat e “mbretërve të drogës”.

Një burim kujtoi se ish-presisdenti tha gjatë diskutimeve se qeveria amerikane duhet të ketë një “listë të bosëve të drogës” të cilët do eliminoheshin ose kapeshin në një administratë të dytë të mundshme Trump.

Trump nuk ka paraqitur hollësi specifike në publik për planet e supozuara, shkruante revista. Më parë, ai hodhi ide të ndryshme për bombardimin ose pushtimin e Meksikës në përgjigje të krizës amerikane të fentanilit.

Një opioid sintetik shumë më i fuqishëm se heroina, fentanili është përgjegjës për shumicën e vdekjeve nga droga në SHBA. Në vitin 2023, shkalla e vdekjes nga mbidoza e fentanilit arriti në 120,000 në një periudhë 12-mujore për herë të parë dhe mbetet shkaku kryesor i vdekjes midis amerikanëve të moshës 18 deri në 45 vjeç.

Konfiskimet e fentanyl në kufirin jugor të SHBA-së u trefishuan në vitin 2023 krahasuar me vitin e kaluar, sipas Administratës së Zbatimit të Drogës (DEA).

Agjencia sekuestroi më shumë se 77 milionë pilula fentanil dhe gati 5500 kilogramë pluhur fentanil në mbarë vendin në vitin e kaluar kalendarik, shifrat më të larta të regjistruara ndonjëherë. Shpërndarja e opioideve të paligjshme iu atribuohej bandave lokale dhe trafikantëve të drogës që mbajnë lidhje me kartelet Sinaloa dhe Jalisco në Meksikë.