Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde ka thënë se Gjermania do t’i katërfishojë forcat e saj në kuadër të KFOR-it në Kosovë.
Rohde tha se ky është një reagim pas zhvillimeve në Banjskë, teksa theksoi se më herët kanë pasur 70 pjesëtarë në Kosovë, ndërsa tani kanë 300.
“Situata e sigurisë këtu në Kosovë është e pandryshuar në muajin e fundit. Dua të them, pas Banjskës, sulmit në Kosovë, KFOR ka reaguar. Tani kemi një qëndrim më të fortë. Unë nuk shoh asnjë kërcënim. Dua të them, KFOR është këtu me 27 kombe me gati 5000 ushtarë. Gjermania do të katërfishojë forcat e saj. Unë do të udhëtoj javën e ardhshme bashkë me kontingjentin e ri gjerman që do të bazohet në bazën Bondsteel. Kishim 70 veta personel këtu. Tani kemi pothuajse 300. E shihni, ne reagojmë ndaj zhvillimeve dhe shpresoj që një sulm si Banjska të mos ndodhë më kurrë. Prandaj kemi shtuar patrullimet, sigurinë dhe nuk shoh ndonjë kërcënim të afërt. Nuk kemi asnjë indikacion. Kjo nuk përjashton që mund të ketë incidente në të ardhmen.”, tha Rohde në një intervistë për A2CNN.