LLogari bankare me mijëra euro dhe lekë shqiptare, apartament dhe dyqan në Tiranë si dhe Varkë Vetorizine dhe motorë uji, janë pasuritë që iu konfiskuan Flamur Sinanajt, i dënuar si pjesë e një organizate kriminale në Belgjikë.
Sinanaj ishte dënuar me 8 vite burg dhe 5 mijë euro gjobë për kryerjen e veprave penale “Trafikimi i lëndëve narkotike, të llojit kokainë”, “Mashtrimi” dhe “Falsifikimi i dokumentave”, si pjesë e një organizate kriminale, parashikuar nga legjislacioni penal i Mbretërisë së Belgjikës.
Njoftimi i Prokurorisë
“Shtetasi Flamur Sinanaj, është subjekt i ligjit nr.10 192/2009, pasi në bazë të vendimit nr. 5736 datë 01.12.2010, të Gjykatës së Shkallës së Parë të Rrethit Gjyqësor, Antverpen, dega Antverpen, dhoma 8C, është dënuar me 8 (tetë) vjet heqje lirie dhe 5.000 (pesë mijë) Euro gjobë, për kryerjen e veprave penale “Trafikimi i lëndëve narkotike, të llojit kokainë”, “Mashtrimi” dhe “Falsifikimi i dokumentave”, si pjesë e një organizate kriminale, parashikuar nga legjislacioni penal i Mbretërisë së Belgjikës” informoi sot SPAK.
Në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr.1, datë 09 janar 2024, (vendim i cili ka marrë formë të prerë në datën 09 prill 2024), ka vendosur konfiskimin dhe kalimin në favor të shtetit të pasurive të luajtshme dhe paluajtshme të 10 llogarive bankare, një apartamenti dhe dyqani në Tiranë si dhe makina e varkë e motor uji
Pasurite e konfiskuara
-Apartament me sipërfaqe 76.5 m2, me adresë rruga “Muhamet Gjollesha”, Tiranë, blerë sipas kontratës së shitjes, në vlerën prej 70.000 Euro;
-Njësi me sipërfaqe 163 m2, me adresë rruga “Muhamet Gjollesha”, Tiranë, përfituar sipas kontratës së shitjes, në vlerën prej 280.000 Euro;
-Pasuria e llojit apartament, me sipërfaqe 123 m2, në Rrugën “Reshit Petrela”, Tiranë, blerë sipas kontratës së shitjes, në vlerën prej 15.990.000 Lekë;
-7 (shtatë) llogari bankare në banka të nivelit të dytë në një shumë totale prej 660 854 Euro;
-3 (tre) llogari bankare në banka të nivelit të dytë në një shumë totale prej 7.574.664 Lekë;
-Motorr Uji “Yamaha”, tipi motor Deti “Jetski”, viti i prodhimit 2016;
-Varkë Vetorizine e përdorur “Yamaha 242X Limited USA”, viti i prodhimit 2017, me gjatësi 7.45 m;
-Automjet, marka “GMC”, modeli SIERRA SLT, tipi Kamion, viti i prodhimit 2011;
-Automjet, marka “Mercedes Benz”, modeli B180CDI, tipi 146, viti i prodhimit 2012”.