Për Partinë e Lirisë Shqipëria nuk është ende e përgatitur për të përballuar fluksin në rritje të turistëve pasi qeveria duhet të ndërmarrë politika zhvilluese që të huajt të mos ikin të zhgënjyer nga vendi.
Sekretarja për Fuqizimin e gruas në Partinë e Lirisë, Ines Shehu në një deklaratë për mediat tha se objektivi i vendosur nga qeveria për 30 mln turistë është një propagandë, pasi qeveria nuk plotëson as kushte minimale, me plazhe të mbipopulluara.
Shehu tha se një nga sfidat më të mëdha të turizmit në Shqipëri është zhvillimi i infrastrukturës, menaxhimi i qëndrueshëm i burimeve natyrore.
Deklarata e Plotë
Të nderuar qytetarë, në prag të sezonit veror dua t’ju drejtohem me një pyetje shumë të sinqertë: A i përballon dot vendi ynë 13 milion turistë gjatë verës, siç ka parashikuar Rilindja?
Pyetja tingëllon krejt qesharake, për aq kohë sa i madh dhe i vogël, e di që Shqipëria në kushtet e sotme nuk ka infrastrukturën e duhur, për të përballuar qoftë edhe gjysmën e tyre.
Një nga sfidat më të mëdha të turizmit në Shqipëri është zhvillimi i infrastrukturës. Përvoja e udhëtimit për turistët ndikohet nga rrugët me plot kthesa, mungesa e shërbimeve të transportit publik efektiv, dhe nevojat për investime në aeroporte, porte, dhe akomodim të përshtatshme.
Zhvillimi i infrastrukturës së turizmit, mund të ndihmojë në rritjen e numrit të turistëve, dhe në të njëjtën kohë në përmirësimin e përvojës së tyre.
Por, a e kupton këtë Rilindja e cila e shfaq veten çdo vit e më dritëshkurtër dhe pa vision!
Një tjetër sfidë është menaxhimi i qëndrueshëm i burimeve natyrore. Rritja e numrit të turistëve mund të sjellë impakte negative mbi mjedisin, duke përfshirë ndotjen e ajrit dhe ujërave, shkatërrimin e habitatit natyror dhe rrënojat kulturore. Jo më larg se vitin e kaluar, plazhet ishin të mbipopulluara, me plot turistë të huaj që ishin joshur nga çmimet kinse të ulta, dhe u larguan me premtimin për mos tu kthyer më kurrë!
Gjendja në një nga qytetet më emblemë të turizmit shqiptar, siç është Saranda është për faqe të zezë.
Rrugët e hapura, plot inerte, kaosi i trafikut, zhurmat, dhe pluhurat janë panorama që pret turistët e parë të këtij sezoni në Jug të Shqipërisë.
Shqipëria përfitoi 4.2 miliardë euro, nga turizmi sezonin e kaluar, por qeveria nuk ka përmirësuar dot infrastrukturën për të pritur turistët e rinj, por i çoi paratë për konçensione, PPP. dhe inceneratorë fantazmë.
Objektivi për 30 milionë turistë në vit është totalisht propagandë e paarritshme, me politikat e kësaj qeverie, që synon turizëm elitar, por nuk plotëson dot as kushtet më minimale.
Ky është tregues i mungesës së qartë të një strategjie për turizmin, dhe i nxitimit për të mbyllur ca punë shpejt e shpejt, sepse qeverisë i intereson të shesë një sukses numrash, qofshin këta turistë apo jo!
Ne jemi shumë inferior edhe në raport me vendet e rajonit, edhe pse nëna natyrë është treguar bujare me ne, dhe na ka dhuruar një biodiversitet të rrallë.
Me Greqinë të cilën kaq shumë duam ta kopjojmë i jemi aq larg sa s’thuhet, dhe ata nuk na kanë fare në konsideratë si konkurrues potencialë.
Greqia ka 40 aeroporte funksionalë, qindra linja detare brenda shtetit, 120 mijë km. rrugë të standardeve të larta e kështu me rrudhë. Që ne të jemi konkurrues të denjë, kemi shumë punë përpara!
Është e rëndësishme që Shqipëria të zhvillojë politika, dhe praktika të qëndrueshme për të mbrojtur dhe ruajtur këto burime, për të ardhmen e turizmit dhe të ambientit dhe ndaj nëpërmjet 5 prioriteteve ne do i rikthejmë hijeshinë turizmit shqiptar.